UBT-ja hap Akademinë ndërkombëtare verore

Prishtinë | 05 Kor 2016 | 15:22 | Nga

Universiteti për Biznes dhe Teknologji (UBT), si institucion i arsimit të lartë privat në Kosovë, ka bërë të gjitha përgatitjet për hapjen e Akademisë Ndërkombëtare Verore (ANV), që u kushtohet ekskluzivisht studentëve. Kjo akademi do të ketë mbarëvajtje, si në rrafshin e ligjëratave akademike, ashtu edhe përgatitjet teknike dhe organizative.

Kjo për faktin, sepse ANV e UBT-së pret më shumë se 500 studentë, si dhe rreth 150 profesorë vendës e ndërkombëtarë. Po ashtu, pret ekspertë nga fusha e bizneseve, të ndërmarrjeve të suksesshme, përfaqësues të institucioneve etj.

Hapja solemne, bëhet të mërkurën, saktësisht më 6 korrik, në Kampusin Inovativ, në Lipjan, duke filluar nga ora 18:00, ndërsa aktivitetin do ta vazhdojë deri më 15 korrik.

Madje, edhe më 16 korrik, fakultetet, si ai Menaxhment, Biznes e Ekonomi (MBE), kanë paraparë vizita të të pranishmëve relevantë, nëpër kompani të ndryshme, që janë treguar të suksesshme në tregun e punës dhe në shërbime.

Akademia ndërkombëtare Verore e UBT-së, tashmë është tradicionale, pasi që mbahet për të pestin vjet me radhë.

Sivjet, kur UBT-ja feston edhe 15 – vjetorin e themelimit, ANV-ja do të fokusohet në 15 disiplina shkencore, në të cilat studentët do të kenë rastin të dëgjojnë dhe t’i shkëmbejnë idetë me mbi 150 profesorë dhe mysafirë të tjerë.

Të ngjashme