Revista prestigjoze globale, Times Higher Education, ka publikuar renditjen globale të universiteteve bazuar në impaktin e tyre për zhvillimin e qëndrueshëm, Impact Rankings 2021.
UBT, është renditur në këtë listë prestigjioze në gjysmën më të mirë të renditjes përkrah institucioneve me më shumë emër në botë, ndërsa është institucioni më i mirërenditur nga rajoni i Ballkanit Perëndimor. Me këtë pozicion UBT e vendos Kosovën për herë të parë në këtë renditje, duke treguar kështu edhe frytet e shkëlqyera të punës 20-vjeçare të UBT-së.
Arritja e UBT-së është e rëndësishme pasi ajo ka lënë pas edhe institucione të arsimit të lartë të mirënjohura, me prestigj dhe traditë. Vlerësimi i impaktit të universiteteve në këtë listë bëhet përmes analizës së të dhënave që lidhen me Sustainable Development Goals (SDGs).
UBT ka dorëzuar gjatë vitit të shkuar të dhënat e saj për zhvillimin e qëndrueshëm në të 17-a SDGs, ndërsa sot është vlerësuar lartë për punën e dedikuar si institucion i prirur drejt politikave të zhvillimit të qëndrueshëm dhe impaktit si në Kosovë ashtu edhe në rajon.
UBT është vlerësuar nga Impact Rankings 2021 për rezultate të larta në zbatimin e politikave të qëndrueshme në të cilat lidhen me industrinë, inovacionin dhe infrastrukturën (SDG 9), kontributin për paqen, drejtësinë dhe institucione të forta (SDG 16), mirëqënien shëndetësore dhe fizike (SDG 3), partneritetin shumë-dimensional për zhvillimin e qëndrueshëm (SDG 17) si edhe zhdukjen e varfërisë (SDG 1).
Në veçanti, në këtë vlerësim UBT dallohet për impaktin për partneritetin shumë-dimensional për zhvillimin e qëndrueshëm (SDG 17), ku përveç renditjes së shkëlqyer në këtë rankim, vlerësohet me notën më të lartë për impaktin në zhvillimin e kapaciteteve dhe strukturave për STEAM.
Ky vlerësim i lartë nga Times Higher Education është një arritje e shkëlqyer e UBT-së, institucion lider i edukimit në Kosovë dhe rajon për inovacionin dhe zhvillimin e qëndrueshëm. Kështu UBT konfirmon rolin e liderit për marrjen e përgjegjësive në funksion të zgjidhjes së problemeve aktuale dhe zhvillimit me qasje inovative, jo vetëm në Kosovë por edhe rajon e më gjerë.
UBT synon që në të ardhmen të pozicionohet edhe më mirë në këtë renditje, edhe përmes thellimit të punës për funksionalizimin e plotë të UBT-së si një universitet i bazuar në një ekosistem inovativ.
Lista e Impact Ratings 2021 kryesohet nga Universiteti i Manchester në Britaninë e Madhe, ndërkohë që Top 10 mbizotërohet nga universitete nga Australia dhe SHBA dhe Britania. Ndërkohë nga rajoni i Ballkanit Perëndimor nuk është renditur asnjë universitet tjetër nga Shqipëria, Serbia, Maqedonia e Mali i Zi, me përjashtim të një universiteti nga Bosnje Hercegovina por me renditje më të ulët.