UBT-ja promovon programin PoSIG për nivelin master

Prishtinë | 24 Pri 2017 | 16:14 | Nga

Në ambientet e UBT-së, në Prishtinë, u mbajt tryeza më titull “Ne i inkurajojmë ballkanasit perëndimorë”, me qëllim që të promovohet dhe të prezantohet para studentëve dhe palëve të interesuara projekti EuroPS – Kurrikula e Zhvillimit për programin e përbashkët në nivelin master, në Shkenca Politike Evropiane, por në të njëjtën kohë, të promovohen edhe vlerat e paqes, demokracisë dhe solidaritetit në jubilarin e 60-të të Bashkimit Evropian.

Me këtë rast, rektori i UBT-së, prof. dr Edmond Hajrizi tha se qëllimi i këtij projekti është që të bëhen ndryshime pozitive dhe të dobishme, nga të cilat përfitojnë studentët e Ballkanit Perëndimor dhe ata të Evropës Perëndimore, në përgjithësi.

“Ky program është i pari i këtij lloji në Evropë, që është krijuar me bashkëpunimin e disa universiteteve të mëdha dhe të rëndësishme regjionale dhe evropiane, prandaj si i tillë, do të jetë një kontribut i madh për edukimin e lartë dhe studentët e shkencave politike, veçanërisht në Kosovë”, vlerësoi Hajrizi, teksa tregoi që në këtë program janë të përfshira të gjitha fushat e politikës.

Përfaqësuesi i Universitetit të Salzburgut, në Austri, prof. dr Franz Kok prezantoi në mënyrë të detajuar programin e ri, duke treguar ecurinë nëpër të cilën ka kaluar ky program, që prej idesë së parë e deri tek akreditimi, me ç’rast potencoi se një program i tillë nuk është inkurajues vetëm për shtetet e Ballkanit Perëndimor, por edhe për të gjithë Evropën.

“Programi ynë i përbashkët po e inkurajon Evropën për të ndërtuar programe të reja dhe për të ndërtuar njerëz të aftë në fushat e tyre të studimit”, theksoi ai, teksa tregoi se, “detyrë e tyre ka qenë që të formojnë një grup ekspertësh, për të zhvilluar ideologjinë dhe më pas edhe kurrikulën e duhur për studime, për zhvillimin e detajuar të projektit se si të studiohet në shkenca politike, për gjetjen e partnerëve të duhur për bashkëpunim, e deri tek detajet për dorëzimin dhe pranimin e diplomave të të diplomuarve të këtij programi”.

Sipas Kok, një element tjetër i rëndësishëm është edhe pranimi i studentëve në këtë program studimi, ku sipas tij, studentët e pranuar duhet të marrin vendime të rëndësishme për veten e tyre, duke përfshirë, përzgjedhjen e fushës për specializim, përzgjedhjen e universiteteve se ku ata do të studiojnë, por edhe zhvillimin e një strategjie për ngritjen e tyre në karrierë.

Sa i përket formës së mësimit dhe të informimit të studentëve, Kok tregoi që është paraparë të vihet në funksion sistemi elektronik i komunikimit të studentëve, që u mundëson atyre të kenë qasje edhe në libraritë më të mëdha elektronike në botë.

Përfaqësuesja e Ministrisë për Arsim Shkencë dhe Teknologji, Qamile Sinanaj konstatoi se ky program është në harmoni me planin më të ri strategjik për arsimin e lartë në Kosovës, teksa sipas saj, një vlerë akoma më të madhe e luan për faktin që, përmes tij, ndikohet në ndërkombëtarizimin e arsimit kosovar.

“Programi PoSIG i ka të gjithë komponentët e nevojshëm në aspektin e cilësisë, si dhe përbën një vlerë të shtuar sepse e promovon bashkëpunimin vendor dhe ndërkombëtar”, tha Sinanaj.

Përfaqësuesi i Fakultetit të Shkencave Politike në kolegjin FAMA, prof. dr Avdi Smajlaj e vlerësoi lartë bashkëpunimin e ofruar nga UBT dhe partnerët tjerë të konsorciumit, për zhvillimin e një programi të tillë, me ç’rast theksoi se studentët tani e tutje do të kenë mundësi të studiojnë jo vetëm në dimension lokal, por edhe regjional në fushën e shkencave politike.

“Studentët do të përfitojnë më shumë se sa të mësuarit e shkencave politike në Kosovë, ku tash do të kenë mundësi të zgjerojnë njohuritë duke studiuar edhe në vendet e Ballkanit Perëndimor dhe ato të Evropës Perëndimore”.

Pas një pune të gjatë dyvjeçare për krijimin e programit të integruar master, konsorciumi i përbërë nga disa universitete dhe institucione tjera të arsimit të lartë, përfshirë UBT-në, Universitetin e Salzburgut, Universitetin e Pavias, pastaj atë të Lubjanës, të Tiranës, të Sarajevës etj, tanimë kanë lansuar programin e përbashkët master në Shkenca Politike- Integrim dhe Qeverisje (PoSIG), teksa kurrikula e këtij programi fokusohet në integrim dhe në qeverisje, në mënyrë që të përgatisë kuadro për tregun e ardhshëm të punës si dhe të ndihmojë në evropianizimin e Republikës së Kosovës dhe Ballkanit Perëndimor.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme