UBT organizon forum akademik për 250-vjetorin e SHBA-së, Hajrizi: Amerika ishte shpresa jonë në vitet më të errëta

Prishtinë | 29 Qer 2026 | 16:30 | Nga Ekonomia Online

UBT ka organizuar forumin akademik me temën “Nga Çlirimi te Lidershipi: Edukimi i Gjeneratës së Ardhshme përmes Partneritetit Kosovë–SHBA”, në kuadër të shënimit të 250-vjetorit të themelimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në forum u vlerësua partneriteti mes Kosovës dhe SHBA-së, roli i arsimit në ndërtimin e shtetit dhe rëndësia e ruajtjes së vlerave demokratike, ndërsa folësit rikujtuan edhe rrugëtimin e Kosovës nga vitet e okupimit deri te shtetndërtimi.

Rektori i UBT-së, Edmond Hajrizi, tha se jubileu i Amerikës nuk është vetëm një përvjetor historik, por një festë e vlerave që kanë ndikuar në zhvillimin e kombeve demokratike dhe kanë frymëzuar edhe Kosovën.

“Ky kremtim është shumë më tepër se një përkujtim i themelimit të një kombi. Është një kremtim i ideve që ndryshuan botën – ide të tilla si liria, demokracia, qeverisja kushtetuese, dinjiteti njerëzor, ndërmarrësia, inovacioni dhe besimi se arsimi është investimi më i madh që çdo shoqëri mund të bëjë. Këto vlera kanë frymëzuar breza mbarë globit. Ato sigurisht që kanë frymëzuar Kosovën, kanë frymëzuar thellësisht UBT-në, e po ashtu edhe mua. Ky vit është gjithashtu thellësisht kuptimplotë për ne, sepse UBT kremton 25-vjetorin e saj. 250 vjet Amerikë dhe 25 vjet UBT – dy rrugëtime të ndryshme, por të ndërtuara mbi të njëjtën bindje se liria krijon mundësi, arsimi krijon progres dhe inovacioni krijon të ardhmen”, deklaroi Hajrizi.

Ai ndau edhe përvojën e tij personale gjatë viteve të okupimit, duke theksuar se arsimi ishte kthyer në formë rezistence dhe se SHBA-ja përfaqësonte shpresën për liri.

“Dëshiroj të flas si qytetar i Kosovës, si dikush jeta e të cilit është zhvilluar krahas një prej kapitujve më të jashtëzakonshëm të historisë sonë moderne. Kam qenë student kur u suprimua autonomia e Kosovës dhe shkolla ime u mbyll. Vazhdova mësimet në shtëpi private, sepse vetë arsimi ishte shndërruar në një akt rezistence paqësore. Më pas si akademik i ri në Universitetin e Prishtinës besoja se edhe nën pushtim arsimi nuk duhej të ndalej kurrë. Gjatë atyre viteve të errëta shikonim drejt Uashingtonit me shpresë. Amerika për ne nuk ishte vetëm një shtet i largët, por përfaqësonte besimin se drejtësia do të triumfonte, se demokracia do të fitonte dhe se liria ishte e mundur. Historia ime është historia e mijëra të rinjve kosovarë të gjeneratës sime”, u shpreh ai.

Profesori amerikan Daniel Serwer tha se Kosova ka bërë një transformim të jashtëzakonshëm që nga fundi i viteve ’90, duke kujtuar vizitat e tij të para në vend dhe zhvillimet politike që ka parë ndër vite.

“Kur erdha për herë të parë në Kosovë në vitin 1998, pashë një realitet krejt tjetër nga ai që shoh sot. Vizitova administratorin serb në ndërtesën që më vonë u bë zyra e Presidentit, ndërsa pak më tutje vizitova Këshillin për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut. Më pas takova Adem Demaçin, i cili kishte një asistent të ri që fliste anglisht – një student me emrin Albin Kurti. Ju keni bërë një rrugë shumë të gjatë nga ai Albin Kurti flokëgjatë deri te kryeministri i sotëm dhe meritoni lëvdata për këtë. E keni bërë këtë në mënyrë demokratike dhe me respekt për detyrimet ndërkombëtare”, tha Serwer.

Ai theksoi se ndryshimet në Kosovë janë rrënjësore dhe se zhvillimi i vendit është dëshmi e progresit të arritur.

“Shqiptarët e rinj dikur ndiqnin mësimet nëpër podrume dhe apartamente gjatë sundimit serb. Sot shikojeni këtë universitet dhe atë që keni ndërtuar – është absolutisht fantastike. Shpesh dëgjoj njerëz në Ballkan të thonë se asgjë nuk ka ndryshuar, por përgjigjja ime është se gjithçka ka ndryshuar. Ka përparim të madh në zhvillimin ekonomik, në institucionet dhe në mundësitë për qytetarët. Deklarata e Pavarësisë së SHBA-së mbetet për mua dokumenti më i rëndësishëm amerikan, sepse vendos në qendër të drejtat individuale, një parim themelor i demokracisë amerikane”, u shpreh ai.

Profesori në Universitetin Johns Hopkins, Edward Joseph, vlerësoi rrugëtimin e Kosovës drejt pavarësisë dhe rolin vendimtar të NATO-s, duke theksuar se sfidat kryesore mbeten në arenën ndërkombëtare.

“Si dikush që e ka ndjekur Kosovën prej vitesh, kam një vlerësim të thellë për gjithçka që ky vend ka kaluar për të arritur deri te pavarësia. NATO ka qenë themeltare për Kosovën që nga fillimi dhe mbetet kritike për stabilitetin tuaj të ardhshëm, madje edhe për stabilitetin e rajonit. Anëtarësimi në NATO është objektiv i rëndësishëm, por ekziston një pengesë reale, fakti që katër vende anëtare ende nuk e njohin Kosovën. Kam propozuar mënyra të ndryshme për ta kapërcyer këtë problem dhe besoj se në Shtetet e Bashkuara ekziston mirëkuptim dhe mbështetje e fuqishme për Kosovën”, tha ai.

Joseph u bëri thirrje qytetarëve dhe institucioneve që të përqendrohen te faktorët që janë nën kontrollin e tyre.

“Nuk dua të flas për ata që nuk e njohin Kosovën dhe as për fqinjët apo mbështetësit e tyre. Dua të flas për gjërat që janë në kontrollin tuaj. Fjala kyçe është njohja. Ju nuk mund të kontrolloni plotësisht veprimet e të tjerëve, por mund të forconi shtetin tuaj, institucionet dhe demokracinë. Ky është mësimi që dua të ndaj me ju, sepse vjen nga respekti dhe përkushtimi im i thellë ndaj Kosovës”, shtoi Joseph.

Të ngjashme