Ministria e Shëndetësisë ka hartuar draftin e Udhëzimit Administrativ për rregullimin e çmimit të produkteve dhe pajisjeve medicinale.
Ky Udhëzim Administrativ përcakton kriteret apo metodologjinë e përcaktimit të çmimeve për produkte (dhe pajisje aty ku është e domosdoshme), nga lista e barnave esenciale, qoftë atyre që janë pjesë e furnizimeve për institucionet publike shëndetësore (LBE-A), apo atyre që janë të riumbursuara nga ana e FSSH-së (LBE-B).
Ky draft Udhëzim Administrativ është hartuar në bashkëpunim të ngushtë me ekspertët e OBSh-së, (Zyra Rajonale për Evropë), si dhe është reviduar nga qendra bashkëpunuese e OBSh-së me seli në Vjenë për çmime dhe rimbursim të barnave. Po ashtu ky UA është reviduar edhe nga ekspertë eminent të Bankës Botërore.
Qëllimi i këtij udhëzimi administrativ është që të caktojë një çmim fiks për rimbursimin nga Fondi për Sigurim Shëndetësor për secilin produkt medicinal.
Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili tha se ministria që ai drejton është përballur me vështirësi të shumta, duke filluar nga aspekti ligjor, raporton Ekonomia Online.
Mirëpo sipas tij, ky udhëzim administrativ për rregullimim e çmimeve të produkteve.
“Ministria e Shëndetësisë po përballet me probleme kritike në prokurimin e produkteve dhe pajisjeve medicinale nga lista e barnave esenciale. Përveç kësaj, Ministrisë së Shëndetësisë i mungon korniza ligjore për caktimin e çmimeve të barnave të cilat blihen apo atyre që në të ardhmen do të rimbursohen nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore. Prandaj duke u nisuar nga ky aspekt kam marrë iniciativën që të krijojmë një bazë ligjore për parandalimin e korrupsionit dhe çmimeve të fryra të cilat kanë dëmtuar për vite buxhetin e Kosovës dhe nuk kanë plotësuar nevojat e qytetarëve për barna.
Udhëzimi Administrativ i Propozuar për rregullimin e çmimeve për produktet medicinale përcakton kufijtë e çmimeve të cilat MSh, apo autoriteti kontraktues do të lejohet të blejnë, duke lënë hapësirë për konkurrencë e cila natyrisht duhet të zhvillohet nën këtë çmim, i cili do të konsiderohet si maksimal.
Zbatimi i kësaj politike do të ulë çmimet, do ta nxisë konkurrencën, do të kontribuojë në shpenzime efikase dhe do ta lehtësojë funksionimin efikas dhe transparent të Fondit për Sigurim Shëndetësor”.
Fatmir Plakiqi, u.d. drejtor i Fondit për Sigurime Shëndetësore, tha se janë duke punuar intensivisht në fillimin e zbatimit të sigurimeve shëndetësore, raporton EO.
“Fondi për sigurime është duke bërë përpjekje intenzive për ta mundësuar fillimin e zbatimit të sigurimeve shëndetësore, një prej komponenteve është edhe ai farmaceutik”.
“Puna për hartimin ishte mjaft e gjatë. Qëllimi i këtij udhëzimi është që të caktojë një çmim fiks për rimbursim nga fondi”.
Ardita Tahirukaj,shefe e zyrës së OBSh-së për Kosovë, tha se ky udhëzim është hapi i parë i zbatimit të reformës për përdorimin në mënyrë të përgjegjshëm të barnave në Kosovë.
“Fokusi ka qenë në proceset për rishikimin e listës për barnat esenciale. Udhëzimi administrativ është hapi i parë shumë i rëndësishëm në zbatimin e reformës dhe gjetjes së përdorimit të përgjegjshëm të barnave në Kosovë”.