UEFA inspekton stadiumin e Prishtinës, punimet përfundojnë në qershor

Prishtinë | 04 Pri 2018 | 16:42 | Nga Mehmet Krasniqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Dy zyrtarë të UEFA-s kanë inspektuar sot punimet që po kryhen për rinovimin e Stadiumit e Qytetit të Prishtinës.

Nicolaus Marshall dhe Joschim Brachert, të shoqëruar nga ministri i Sportit, Kujtim Gashi, dhe kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Fadil Vokrri, panë nga afër punët që janë duke u kryer.

Ministri Kujtim Gashi tha se është bërë punë e mrekullueshme në rinovimin e stadiumit. Ai deklaroi punimet pritet të përfundojnë në muajin qershor dhe nga atëherë ai do të jetë i gatshëm për t’u shfrytëzuar, raporton Ekonomia Online.

“Është berë punë e mrekullueshme që këtë stadium ta kthejmë në stadium të kategorisë së katërt. Ministria e Kulturës dhe Sportit do të vazhdojë të monitorojë punën që po bëhet nga operatori në këtë stadium dhe besoj që deri në këtë moment është duke shkuar gjithçka mirë. I kemi këtu edhe inspektorët nga UEFA dhe besoj që do të kemi edhe vlerësimin nga ana e tyre në mënyrë që stadiumin ta kemi të përfunduar ashtu siç kemi thënë, në qershor të këtij viti”.

“E kemi edhe operatorin këtu, ashtu jemi dakorduar, edhe në bazë të marrëveshjes që në qershor stadiumin do ta kemi të gatshëm dhe të përfunduar ashtu siç është e kontraktuar dhe jam shumë i bindur se çdo detaj që është paraparë të kontratë do të jetë i përfunduar. Jam shumë i bindur se në qershor stadiumin do ta kemi të gatshëm. Kosotoja e rinovimit është mbi 4 milionë euro, me këtë shumë shpresoj që ta përbyllim”, ka thënë Gashi.

Ministri ka thënë se shpreson që inspektorët e UEFA-s nuk do të dalin me kërkesa të reja sa i përket punimeve.

“Uroj që edhe inspektorët që i kemi sot në vizitë nuk do të kenë kërkesa shtesë, për të mos na nxjerrur probleme për ta rritur edhe buxhetin por edhe për të investuar më tutje në këtë stadium”, ka thënë Gashi.

Kryetari i FFK-së, Fadil Vokrri, duke vlerësuar punimet që janë zhvilluar tha se bari i stadiumit fillimisht duhet të testohet në një ndeshje jozyrtare.

“Sipas informatave që i kemi nga ministria dhe departamenti i sportit duhet që të testohet bari në ndeshje jozyrtare dhe pa shikues, pastaj në funksion të përfundimit të punimeve ne do të organizojmë ndoshta një ndeshje inauguruese. Atëherë mund të bisedojmë për detajet dhe datën nëse mund të organizohet një ndeshje miqësore, nëse punimet kryhen me dinamikën e paraparë. Mendoj që është bërë punë e madhe. Edhe kryetari i UEFA-s gjatë vizitës në muajin gusht ka qenë i kënaqur me punimet që janë bërë ”, ka thënë Vokrri.

I pyetur rreth pronarit të stadiumit, Vokrri tha se ai është në pronësi të komunës së Prishtinës.

“Stadiumi i qytetit e ka një pronar i cili është Kuvendi Komunal i Prishtinës dhe nuk mund të bisedojë për këto çështje nëse pronari nuk ka vendosur”, ka shtuar Vokrri.

Zyrtarët e UEFA-s nuk u deklaruan për medie. Zyrtari tjetër Federatës së Futbollit Evropian (UEFA), Mark Blackbourne, do të vizitojë nesër Stadiumin e Prishtinës.

Rinovimi i stadiumit të Prishtinës nisi në qershor të vitit 2016 dhe sipas kontratës, ai duhej të përfundohej në muajin gusht të vitit 2017.

Pasi nuk u krye në këtë kohë, u dha afat tjetër se do të kryhet në pranverën e hershme të 2018-s. Pranvera ka nisur më 20 mars dhe ende nuk janë kryer punimet, derisa si afat i fundit për përfundimin e stadiumit tashmë ka dalë qershori.

 

Të ngjashme