Uiski i rrallë shitet për 2.4 milionë euro

Prishtinë | 19 Nën 2023 | 11:18 | Nga Ekonomia Online

Një shishe e rrallë e uiskit është shitur për 2.4 milionë euro, duke e bërë më të shtrenjtën të shitur ndonjëherë, raporton BBC.

Shishja e uiskit “Macallan” e vitit 1926 është një nga shishet e uiskit skocez që kërkohet më së tepërmi në botë.

Shishja u shit në ankandin “Sotheby’s” të shtunën, dyfish më shtrenjtë se që ishte vlerësuar fillimisht.

Kreu i departamentit të uiskive në shtëpinë e ankandeve “Sotheby’s” ka thënë se ishte lejuar ta shijonte paraprakisht një pikë të vogël të uiskit.

“Është shumë e pasur, ka shumë fruta të thata siç do të prisnit, shumë erëza dhe shumë dru”, ka thënë Jonny Fowle.

Uiski kaloi 60 vjet duke u pjekur në kavanoza të errëta të lisit, përpara se të bëhej një nga vetëm 40 shishet e prodhuara në vitin 1986.

40 shishet thuhet se nuk u vunë në dispozicion për blerje – por, në vend të kësaj iu ofruan klientëve kryesorë të “The Macallan”.

Dhe sa herë që ndonjë nga shishet është vendosur në ankand gjatë viteve, ka pasur rezultate të jashtëzakonshme. Një shishe e ngjashme e uiskit u shit në vitin 2019 për 1.5 milionë funte.

Sotheby’s ka thënë se 40 shishet nga një fuçi e vitit 1926 ishin etiketuar në mënyra të ndryshme.

Dy shishe nuk kishin fare etiketa, 14 ishin me etiketa “Fine and Rare” dhe 12 ishin etiketuar sipas pop artistit Sir Peter Blake.

12 shishe tjera – përfshirë edhe ajo që u shit për shumë rekorde të shtunën – u dizajnuan nga piktori italian Valerio Adami.

Nuk dihet se sa nga 12 shishet e “The Macallan Adami 1926” ende ekzistojnë.

Njëra thuhet se është shkatërruar nga një tërmet në Japoni në vitin 2011 dhe besohet se të paktën një tjetër është hapur dhe konsumuar.

Të ngjashme