Zgjerimi i kryeqytetit me lagje të reja dhe mbushja e rezervuarëve të mëdhenj janë dy nga arsyet kryesore që, sipas kompanisë rajonale të ujësjellësit “Prishtina”, po shkaktojnë mungesë të ujit në zona të veçanta në kryeqytet.
Sokol Xhafa, ushtrues detyre i kryeshefit ekzekutiv të KUR “Prishtina”, në një deklaratë për KOHËN ka thënë se ekziston një hendek në komunikim mes Komunës dhe KRU-së. Sipas tij, Komuna nuk po e pyet KRU-në për kapacitetet e ujit, kur i planifikon lagjet e reja. Prandaj, siç ka thënë ai, ky moskoordinim në mes të dyja organeve po çon në problemet e furnizimit me ujë.
“Në kuadër të planit zhvillimor urban është paraparë zgjerimi i qytetit, veçanërisht në zonën e ashtuquajtur Prishtina e Re. Ajo zonë furnizohet përmes liqenit të Badovcit, liqen i cili dihet se ka një kapacitet të vogël. Për ketë arsye me planifikimet urbane janë paraparë edhe investimet në infrastrukturën shpërndarëse të rrjetit të furnizimit me ujë. Për fat të keq, këto investime nuk janë realizuar ende dhe për këtë problemi sa vjen e rritet me shtimin e ndërtimeve të reja, respektivisht zonave të reja të banimit. Për fat të keq, ne si institucion nuk po pyetemi kur po planifikohen lagje të reja”, ka thënë ai.
Një gjë e tillë, sipas Xhafës, ka ndodhur edhe me lagjen “Kodrina”, e cila nuk e ka të zgjidhur problemin e furnizimit me ujë, ndërsa është në ndërtim e sipër.
“Dihet se komunat vjelin taksa për leje ndërtimore/urbanistike, por edhe për leje nga infrastruktura. Krejt çka kërkojmë ne si institucion është që këto taksa që vilen të investohen në ato zona ku shtrihen ndërtimet. Është urgjente të ulen struktura profesionistësh në mes të dy institucioneve, për harmonizim mes planifikimeve urbane dhe atyre të infrastrukturës përcjellëse”, është shprehur ai.
Sipas Xhafës, zona e “Matit”, Veternikut, Zllatari, e lagjja e “Muhaxherëve” janë vetëm disa nga zonat të cilat kanë kaluar nga shtëpi individuale në ndërtime kolektive, ku, sipas tij, aty përqendrohet kërkesa për ujë, konkretisht rritet kërkesa për furnizim më të lartë.
Në Komunën e Prishtinës i kanë mohuar pretendimet e Ujësjellësit. Zyra për informim e Komunës, në një përgjigje dhënë KOHËS, ka theksuar se asnjë leje ndërtimore në Komunë nuk jepet pa pëlqimin e Ujësjellësit.