Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina”, po përballet me mungesë të stafit si pasojë e infektimit të punëtorëve me virusin Covid-19, raporton Ekonomia Online.
Në një intervistë për Ekonomia Online, ushtruesi i detyrës së kryeshefit ekzekutiv të kësaj kompanie, Sokol Xhafa, tha se po ashtu një numër i punëtorëve janë të izoluar për muaj të tërë si pasojë e sëmundjeve të tjera shoqëruese që ata kanë.
“Fatkeqësisht as ne si kompani nuk i kemi shpëtuar dot pandemisë, me vitin që shkoj deri në lirimin e masave ose deri në muajin qershor duke respektuar të gjitha rekomandimet arritëm që të mos kemi asnjë të infektuar, pavarësisht numrit afro 600 të punonjësve, mirëpo gjendja pastaj nga qershori filloj duke ndryshuar, dhe duke ardhur rastet e para, dhe aktualisht gjendja nuk është aspak e mirë, kemi një numër të madh të punonjësve që kanë rezultuar pozitiv me Covid, për fat të keq po përballemi me shumë vështirësi, sepse edhe stafi ka një moshë relativisht të shtyrë e sidomos edhe pjesa e operimit dhe mirëmbajtjeve kur mosha mesatare i afrohet 60 vjeç, dhe kjo ndikon që një pjesë e madhe e tyre të ketë edhe sëmundje kronike”, tha Xhafa.
“Për fat të keq kemi disa punonjës që për muaj të tërë janë të izoluar si pasojë që kanë shumë sëmundje shoqëruese, pastaj janë edhe nënat e reja që edhe ato duhet t’i lirojmë mbi bazën e rekomandimeve dhe gjitha këto vërtetë po paraqesin sfidë për neve sepse nuk po është e lehtë, me një numër shumë të reduktuar të stafit të punojmë, shto kësaj pastaj edhe sigurinë e furnizimit me ujë që gjatë gjithë kohës ka qenë kërkesë që të furnizojmë 24 orë me ujë sepse mbrojtja nga pandemia është higjiena e duarve, dhe kjo na ka vendosur në një presion të dyfishtë, pasi në njërën anë kemi mungesë të stafit, kurse nga ana tjetër duhet të garantojmë furnizim me ujë”, u shpreh ai.
Ndërsa sa i përket furnizimit me ujë të pijshëm, Xhafa thotë se këtë vit gjendja është me e mirë krahasuar me vitin paraprak. Ai thotë se niveli i ujit është stabil si rrjedhojë e reshjeve atmosferike.
“Në krahasim me vitin që shkoj këtë vit jemi shumë mirë, sepse ishte mirë që kishim reshje në fillim të vitit, reshjet vazhduan le të themi që sipas gjitha trendëve që po shkon, viti do të ketë reshje përgjithësi gjatë gjithë vazhdimësisë. Që nga janari, liqeni i Batllavës dihet që është në kapërderje, në nivelin maksimal të tij, sepse ajo është dinamike si nivel, po ashtu edhe Badoci që është liqen më i vogël dhe gjendjen nuk është se e ka shumë të mirë, mirëpo duke shpresuar që reshjet do të vazhdojnë dhe ende jemi në fillimet e pranverës, tradicionalisht tek ne reshjet gjatë muajit prill dhe maj janë produktive për akumulimet, mirëpo situata është e mirë”, deklaroi Xhafa për Ekonomia Online.
Tutje ai thotë, se me gjendjen që është tani liqeni i Batllavës, rajoni i Prishtinës do të ketë ujë të mjaftueshëm për dy vitet në vijim.
“Pjesa e dy liqeneve tona, Batllava ndikohet shumë nga reshjet ose janë të varura nga reshjet. Batllava me gjendjen që është premton që për afërsisht dy vite ka ujë mjaftueshëm të siguruar sepse mbi bazën e planeve të menaxhimit na tregon që kemi një rezervë ujore për dy vitet në vijim. Badovci është më i ndjeshëm, por prapë ka një pjesë stabile që e mbajmë si rezervë, dhe me këto dy sasi na ofron siguri për furnizim të mjaftueshëm deri në vitin tjetër pa ndonjë problem”, përfundoi ai.