IKSHP: Uji i pijes në Kosovë sipas standardeve ndërkombëtare

Prishtinë | 26 Sht 2016 | 15:19 | Nga

Uji i pijes në Kosovë  është sipas standardeve të Bashkësisë Ndërkombëtare. Sipas raportit për cilësinë e ujit të pijes në Kosovë për 2015, publikuar nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike (IKSHP) në Kosovë, ku si rezultat i 43 000 testeve të bëra nga gjashtë laboratorë Rajonalë të IKSHP-së dhe Qendra e laboratorëve testues të IKSHP-së në Prishtinë gjatë 12 muajve të vitit 2015 ka rezultuar se uji i pijes ka arritur përputhshmëri prej 96.3% me standardet mikrobiologjike të cilësisë së ujit dhe përputhshmëri prej 97.3% me standardet kimike

Kështu u tha sot në Prishtinë në prezantimin e raportit për cilësinë e ujit të pijes në Kosovë për vitin 2015, publikuar nga IKSHP-ja, raporti i parë i këtij lloji që publikohet në Kosovë, por edhe në rajon.

Në prezantimin e këtij raporti u bënë të njohura faktet sipas të cilave, cilësia e përgjithshme e ujit të pijes në Kosovë që u ofrohet konsumatorëve nga shtatë kompanitë rajonale të ujësjellësve dhe sipas monitorimit nga qendra e ujit e IKSHP-së në kuadër të përgjegjësive të saj për monitorimin e jashtëm të përcaktuara me UA 16/2012 ka arritur përputhshmëri prej 96.3% me standardet mikrobiologjike të cilësisë së ujit dhe përputhshmëri prej 97.3% me standardet kimike, duke rezultuar në një nivel të përgjithshëm të përputhshmërisë prej 97.0% si rezultat i 43.000 testeve të bëra nga gjashtë laboratorë Rajonale të IKSHP-së dhe Qendra e Laboratorëve Testues të IKSHP-së në Prishtinë gjatë 12 muajve të vitit 2015.

Ministri i Shëndetësisë Imet Rrahmani tha se roli dhe rëndësia e ujit nuk diskutohet meqenëse uji është nevojë bazike për jetën e njeriut.

“Sigurimi i ujit të pijshëm është një parakusht për mirëqenie sociale dhe shëndetësore. Për shëndetësinë publike është prioritet. Përveç rolit të padiskutueshëm të ujit për nevojat fiziologjike, personale, shtëpiake, ekonomike, uji është edhe kërcënim”, tha ministri Rrahmani.

Historia e mjekësisë, shtoi ministri se ka shënuar fakte të frikshme ku uji ka shkaktuar me mijëra viktima si nga epidemitë hidrike (Kolera, tifoja, poliomieliti, Malaria, etj.) ashtu edhe nga stuhitë dhe vërshimet.

“Uji ka ndikime shumë më të gjera në shëndetin dhe mirëqenien dhe çështje të tilla si sasia dhe cilësia e ujit janë të rëndësishme në përcaktimin e shëndetit të individëve dhe komuniteteve”, tha ministri, duke theksuar se MSH do të vazhdojë  me mbështetjen e IKSHP drejt përmbushjes së qëllimeve dhe sfidave të këtij sektori.

Drejtori i IKSHP-së, Naser Ramadani, tha se sigurimi i ujit të pijshëm të qëndrueshëm dhe të sigurt për të gjithë qytetarët e Kosovës ende paraqet një ndër sfidat më të mëdha afatgjata… Ai shtoi se raporti i parë vjetor 2015 do të ofrojë një pikë të dobishme referuese me të cilën do të mund të krahasohen me raportet e ardhshme vjetore të IKSHP-së për performancën e cilësisë së ujit të pijshëm.

Afrim Lajçi, udhëheqës i Këshillit Ndërministror për Ujërat në Kosovë tha se raporti i publikuar paraqet një zhvillim pozitiv për monitorimin  e cilësisë së ujit të pijes që e konsumojnë qytetarët dhe i kontribuon edhe ngritjes së transparencës  për cilësinë e ujit të pijes që ofrohet përmes kompanive publike, pore dhe llogaridhënien e këtyre kompanive.

Zëvendësdrejtori i Zyrës Zvicerane për Bashkëpunim, Bernard Solen, që ka mbështetur publikimin e këtij raporti, tha se kualiteti dhe monitorimi i cilësisë së ujit të pijes është krucial për shëndetin e popullatës dhe zhvillimin e një shoqëria. Ai tha se autoritetet zvicerane kanë mbështetur një raport të tillë duke ditur rëndësinë e sigurimit të ujit të pijes për popullatën.

Zëvendës-drejtoresha e IKSHP-së, njëherësh  e shpallur Ambasadore e ujit, Selvete Krasniqi, tha se çështja e ujit është çështje jete dhe një e drejtë fundamentale sipas Kartës për të Drejtat Universale të Kombeve të Bashkuara.

Raportin e ka prezantuar dr. Burbuqe Nushi-Latifi, koordinatore e Qendrës për monitorimin e ujit në IKSHP.

Ky raport përveç analizës së detajuar për cilësinë e ujit të pijes jep edhe rekomandimet për përmirësimin e mëtejme të cilësisë së ujit të pijes në Kosovë.

Publikimi i raportit është përkrahur nga Agjensia Zvicerane për Bashkëpunim, Zyra e BE-së në Kosovë dhe Zyra e OBSH-së.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme