Kriza ekonomike në Kosovë mund të rritet shkaku i varësisë nga importi. E duke e parë këtë varësi, Kosova mund të përballet me rritjen e papunësisë dhe zvogëlimin e fuqisë blerëse të popullatës, thotë profesori i ekonomisë, Emrush Ujkani.
Krahas varësisë së importit, dëm të madh ekonomisë kosovare po i jep edhe lufta në Ukrainë, duke shkaktuar inflacion të madh, raporton Ekonomia Online.
Drejtori Ekzekutiv i Këshillit të Investitorëve Evropian, Emrush Ujkani, thotë për Ekonomia Online se lufta në Ukrainë e ndryshon edhe aspektin ekonomik dhe shumë vende janë varur nga prodhimet ukrainase dhe duke bërë që të ulët rritja ekonomike në Kosovë.
“Se ka ulje të ndryshimeve dhe parashikimeve mendoj që është krejtësisht e logjikshme marrë parasysh se nuk është situata e njëjtë me atë që ka mundur të jetë me 20 dhjetor të vitit të kaluar. Lufta e agresionit rus në Ukrainë e ndryshon edhe aspektin ekonomik dhe shumë vende janë varur nga prodhimet ukrainase mendoj që do ta ketë impaktin e vet dhe këto shifra mund të jenë më të ulëta të rritjes ekonomike të vendit tonë. Neve shpresojmë që nuk do të ketë krizë ekonomike sepse varemi shumë nga importi”, thotë Ujkani.
E duke folur për rritjen e çmimeve në vend, Ujkani thotë e njëjta nuk po ndodh edhe për rritje të pagave. Ai thotë se kjo nuk mund të kuptohet ndryshe vetëm si ndikim që mund t’i ketë pasojat e veta në ekonomi.
“Në qoftëse ka krizë ekonomike dhe shfaqet në fusha të ndryshme qoftë importi sepse një pjesë e mirë e tyre janë varur nga importi nga këto vende mund të vijmë në një situatë kur edhe kjo do të ndikojë në rritjen e papunësisë dhe zvogëlimin e fuqisë blerëse të popullatës. Muajve të fundit kemi parë rritje të çmimeve por nuk kemi parë rritje të pagave qoftë në sektorin publik e privat dhe kjo natyrisht nuk mund të kuptohet vetëm si ndikim që mund të ketë pasojat e veta në ekonomi”, tha Ujkani.
Ujkani e sheh brengosëse situatën e tanishme ekonomike, duke shpresuar që ndikimi nuk do të jetë aq i madh saqë të pengojë ardhjen e investitorëve në Kosovë.
“Investitorët janë të kujdesshëm jo vetëm nga vendi ku shkojnë por edhe rrethanat në të cilat veprojnë. Nuk është moment i duhur për të bërë investime dhe kjo natyrisht që ka pasojat e veta. Shpresojmë që ndikimi nuk do të jetë aq i madh saqë t’i pengojë ardhjen e investitorëve të ri e mos të flasim t’i rrezikojë edhe ata që janë ekzistues në vendin tonë sepse e bartin një pjesë të madhe të asaj çka është përgjegjësi për të mirë të sektorit privat. Se a do të ketë investitorë të rinj jam i bindur se po do ta kenë impaktin e vet”, tha ai.
Sipas tij, është e rëndësishme që të subvencionohen bujqit dhe fermerët në mënyrë që të tejkalohet kriza në Kosovë.
“Shpresojmë të kemi një subvencionim të industrive tona duke filluar nga bujqësia që Kosova t’i kthehet disa sektorëve siç janë bujq, fermerë apo edhe zejtarë që ata ta minimizojë impaktin që mund të jetë nga kriza jo vetëm tek ne por edhe globale”.