“Ujku” thumbon Prokurorin e Specializuar: Në Belgjikë, sajimi i provave është vepër penale

Prishtinë | 22 Shk 2023 | 12:36 | Nga Ekonomia Online

Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Pjetër Shala ka thënë fjalën e tij pa betim para gjyqtarëve të Gjykatës Speciale në Hagë ku është deklaruar plotësisht i pafajshëm për të gjitha pikat e akuzës.

Ai është shprehur se ka qenë vetëm një luftëtar që ka luftuar për lirinë e vendit të tij, as më pak e as më shumë.

“Dëshiroj të ju falënderoj edhe njëherë. Unë qëndroj këtu përballë jush të ju them që e respektoj drejtësinë dhe nuk i iki asaj. Asnjëherë në jetën time nuk kam bërë atë çfarë më ngarkohet. Këto janë të panjohura për mua. Unë kam qenë vetëm një luftëtar, që kam luftuar për lirinë e vendit tim dhe popullit tim. Asgjë më shumë, as më pak! Unë kam luftuar kundër një makinerie polico-ushtarake të një regjimi kriminal të Millosheviqit, por kurrë kundër civilëve, asnjëherë. Nëse është qëllimi i këtij institucioni të më dënoni pse kam luftuar për lirinë e vendit tim, okej, por jo në këtë mënyrë, të njollosem, të baltosem, këto nuk janë metodat tona, nuk janë metodat e mija dhe të asnjë ushtari të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Këto aktakuza që më ngritën janë të panjohura.”, tha Shala.

Ai më tutje është shprehur se jeton në Belgjikë dhe në vendin ku jeton, detyra e prokurorit është të hulumtojë, zbulojë e të paraqesë prova e jo të sajojë, duke iu drejtuar prokurorit të Dhomave të Specializuara.

“Ujku” ka përmendur se kjo është vepër penale në Belgjikë dhe ka deklaruar se nuk e ka përkrahur Specialen, por se beson që nëse ka drejtësi, ai do të shpallet i pafajshëm.

“T’i flas edhe dy fjalë për Prokurorin, jo të fyej, nuk jam i edukuar të fyej. Unë jetoj që 25 vite, në Belgjikë, shtet demokratik. Detyra e Prokurorit aty ku jetoj unë është të hulumtojë, të zbulojë, t’i paraqesë provat dhe të kërkojë drejtësi, në asnjë formë t’i sajojë, aty ku jetoj unë kjo është vepër penale. Sa i përket këtij institucioni, nuk e kam përkrahur asnjëherë, por deshi fati që të jem këtu para jush dhe në qoftë se këtu ka vetëm pak drejtësi, unë besoj se atë drejtësi do ta jepni dhe të më shpallni të pafajshëm.”, tha Shala.

Krejt në fund, Shala shprehet se është i pafajshëm për të gjitha akuzat.

Shala akuzohet për përgjegjësi penale individuale dhe ndaj tij janë ngritur katër akuza për krime lufte: Ndalim arbitrar, Trajtim mizor, Torturë, dhe Vrasje të paligjshme.

Aktakuza e parë kundër Shalës u konfirmua më 12 qershor 2020 dhe aktakuza e konfirmuar e korrigjuar u dorëzua më 1 nëntor 2021.

Shala u arrestua më 16 mars 2021 në Belgjikë dhe u transferua në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës më 15 prill 2021.

Më 19 prill 2021, Shala pati paraqitjen e tij të parë para Gjykatësit të Procedurës Paraprake dhe u vetëdeklarua i pafajshëm për të gjitha pikat e Aktakuzës.

Më 21 shtator 2022, Gjykatësi i Procedurës Paraprake ia kaloi dosjen e çështjes Trupit Gjykues I. Konferenca përgatitore për gjykim u mbajt nga data 18 deri më 20 tetor 2022.

Deri tani, tetë persona janë pranuar si viktima pjesëmarrëse në proces. Procesi i parashtrimit të kërkesave për viktimat që dëshirojnë të marrin pjesë në proces mbetet i hapur. Personat që mund të provojnë se kanë pësuar dëm fizik, mendor ose material si pasojë e drejtpërdrejtë e një krimi të renditur në Aktakuzën e korrigjuar, ende mund të paraqesin kërkesë për pjesëmarrje në proces. Këtu përfshihen persona që kanë pësuar dëm drejtpërdrejtë, si dhe persona që kanë pësuar dëm tërthorazi, për shembull, për shkak se kanë lidhje të ngushtë me një viktimë të drejtpërdrejtë që pretendohet se është vrarë ose lënduar.

Të ngjashme