Pranimi në UEFA e FIFA duket se nuk i ka hequr të gjitha problemet për futbollin kosovar. Mungesa e njohjes nga disa shtete të botës mund t’i sjellin probleme ende vendit tonë, sidomos në rrafshin sportiv.
Një rast konkret është Ukraina, e cila nuk e njeh shtetin e Kosovës dhe për këtë arsye, ndeshjet kualifikuese për Botërorin e Rusisë ndërmjet Kosovës dhe Ukrainës, mund të zhvillohen në terren neutral.
Kjo mund të ndodhë me kërkesën e ukrainasve, të cilët nuk i njohin pasaportat e Kosovës.
“Për shkak se Ukraina nuk e ka njohur ende pavarësinë e Kosovës, përballja e skuadrave nuk do të mund të zhvillohet në tokën ukrainase”, ka shkruar mediumi ukrainas, “Sport Arena”. Kosova gjendet në Grupin I, së bashku me Kroacinë, Islandën, Turqinë, Finlandën dhe Ukrainën.
Federata Ukrainase e Futbollit, e udhëhequr nga presidenti i saj, Andrei Pavelko, është duke shikuar se në cilin shtet të zhvillohet ndeshja me Kosovën, e paraparë më 9 tetor të këtij viti.
Nuk përjashtohet mundësia që kjo ndeshje të zhvillohet në Poloni, ose në një vend tjetër afër Ukrainës, raporton Zëri
Pas kësaj, duhet të vendoset edhe për ndeshjen e kthimit, e paraparë të luhet vitin e ardhshëm në Kosovë, nëse ukrainasit do të pranojnë të luajnë në vendin tonë apo jo.
Kosova do të marrë pjesë për herë të parë në kualifikimet e Botërorit, pasi e mori “aminin” nga UEFA dhe FIFA, të cilat e afruan në gjirin e tyre në muajin maj.
Në ditët në vazhdim, përfaqësuesja e Kosovës do ta kuptojë se në cilët lojtarë do të mundë të llogarisë. Botërori i Rusisë do të mbahet nga 14 qershori deri më 15 korrik 2018.