Ndryshon llogaritja e akcizës për prodhuesit vendës të duhanit, synohen lehtësira

Prishtinë | 29 Jan 2019 | 15:16 | Nga Besjana Bajrami Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Komisioni për Buxhet dhe Financa ka miratuar vendimin e Qeverisë që norma e akcizës për cigaret e prodhuara në Kosovë të përllogaritet duke përdorur metodën “ad valorem” (sipas vlerës) dhe përllogaritja bëhet në çmimin e shitjes me pakicë me normë 30% në vlerën shitëse me pakicë, raporton Ekonomia Online.

Anëtarja e këtij komisionit, Safete Hadergjonaj, tha se kjo pikë nuk është votuar më herët për shkak se ka qenë në kundërshtim me MSA-në.

“Komisioni për buxhet dhe financa nuk e ka përkrah këtë ndryshim për shkak se kjo nuk është e paraparë në MSA. Këtë e ka kërkuar edhe Apostolova që të mos përkrahet një vendim i tillë”, u shpreh Hadergjonaj.

Zëvendësministri i Financave, Fatmir Gashi, tha se qëllim i qeverisë është rikthej industrinë e duhanit

“Nuk është problemi vetëm tek prodhimi i cigareve por komplet tek industria. Ketë e bazojmë edhe në direktivën evropiane. Unë po ju them që direktiva evropiane ekziston ende, nen 12  1 dy krahina të Bullgarisë i lejon të zvogëlojnë akcizën. Ne duam ta kthejmë kulturën e duhanit, ky është qellim i Qeverisë. Serbia i ka 3 fabrika të fuqishmet duhanit dhe në kontrata shkruhet që duhani duhet ta ketë të ulet akcizën, kështu ka arrit me thith investitorët më të madhej të botës. Qëllimi ka qenë me ngrit atë industri. Unë besoj që do e përkrahni këtë vendim të qeverisë”, tha Gashi, raporton Ekonomia Online.

Ai ka thënë se një gjë e tillë nuk është e kundërligjshme e as në kundërshtim me ligjin e doganave.

Në anën tjetër, deputeti i LDK-së, Naser Osmani, ka thënë se është e pakuptueshme të bëhet një ulje e akcizës pasi që, sipas tij, në Kosovë nuk ka fabrikë që prodhon duhanin.

“Me rëndësi është me përmend që ligji për duhanin është bërë në mandatin kur unë kam qenë kryetar. Ai ligj na është imponuar qysh kanë kërkuar ndërkombëtarët. Ne nuk kemi arrit mandatin e kalun me procedu për shkak të ndërrimit të Qeverisë mirëpo ajo ka ngecë sepse nuk është kultivuar. Nuk po e kuptoj përllogaritjen, ski çka qet akcizë për një lëndë që s’ka sepse bëhet fjalë vetëm për duhanin e prodhuar në Kosovë”, tha Osmani, raporton EO.

Deputeti i Nisma Socialdemokrate, Enver Hoti, ka thënë se duhet të përkrahet një ndryshim i tillë.

“ Unë ju bëj thirrje që të gjithë ta përkrahin”, tha Hoti.

Ndërkaq është shqyrtuar edhe projektligji për Ndarjet Buxhetore për Buxhetin e Kosovës për vitin 2019.

Kryesuesja e komisionit, Safete Hadergjonaj, tha se raporti me rekomandime ka kaluar nëpër komisionet përgjegjëse dhe si i tille ka kaluar

“Ne e kemi miratuar raportin me rekomandime për buxhetin dhe besoj me ndryshim plotësimet e kemi pasuruar ligjin për buxhetin. Raporti me rekomandime ka kaluar në komisionin për komunitete dhe atë për Integrime, komisioni për legjislacion nuk ka fut si pike të rendit të ditës”, tha Hadergjonaj.

Deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku, ka kërkuar të dije për financimin e Ministrisë se Inovacionit

“Një shqetësim i rëndësishëm është me ministrin e Inovacionit e cila është e re. Kisha dashtë me ditë si qëndron financimi”, tha Lushtaku.

Ministri i financave, Bedri Hamza, tha se organizatat buxhetore kanë fonde të mjaftueshme për financim të projekteve

“Kemi një numër të konsiderueshme të amendamenteve. Buxheti me lexim të dytë del me shuma ma të larta. Cdo moment kur organizatat buxhetore arrin mi shpenzuar fondet ne do ti marrim në konsideratë. Unë mendoj që secila organizatë buxhetore ka mjete të mjaftueshme për realizimin e projekteve”, tha ai, raporton Ekonomia Online.

Të ngjashme