Ulet dënimi për tre muaj ndaj Haradinajt dhe Gucatit

Prishtinë | 02 Shk 2023 | 15:00 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Gjykata e Apelit në Dhomat e Specializuara në Hagë, e ka ulur për tre muaj dënimin ndaj ish-krerëve të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK), Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj, të cilët janë shpallur fajtorë në shkallën e parë.

Ndryshe, më 18 maj 2022 është shpallur aktgjykimi ndaj Hysni Gucatit e Nasim Haradinajt, ku trupi gjykues i shpalli fajtorë për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, frikësim gjatë procedurës penale dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës.

Ata u dënuan me nga katër vjet e gjysmë burgim, ku do të llogaritet koha e kaluar në paraburgim, dhe me gjobë prej 100 eurosh për secilin. Ndërkaq, u liruan nga përgjegjësia penale për hakmarrje.

Hysni Gucati së bashku me Nasim Haradinaj, akuzoheshin për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës.

Gucati dhe Haradinaj ngarkoheshin se kanë bërë komente nënçmuese kundër dëshmitarëve të mundshëm dhe në mënyrë të përsëritur shprehen synimin e tyre për të dëmtuar punën e Dhomave të Specializuara.

Gucati dhe Haradinaj u arrestuan në shtator të vitit 2020, pas dyshimeve se në disa konferenca për media në selinë e OVL-UÇK në Prishtinë kanë shpërndarë dokumente të klasifikuara të Dhomave të Specializuara.

Të ngjashme