Janë bërë fiks katërmbëdhjetë muaj prejse është inauguruar parku i parë arkeologjik në Kosovë “Ulpiana”. Por ky lokalitet ka mbetur ashtu sikurse në ditën kur u hap nga ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa më 27 tetor të vitit 2016.
Me rreth 22 mijë vizitorë e përmbyll vitin, por ende larg funksionalizimit ashtu siç ishte premtuar, shkruan sot “Koha Ditore”. Ndër të tjera ende nuk është institucion më vete.
Ministria e Kulturës nëpërmjet marrëveshjeve për shërbime të veçanta ka angazhuar gjashtë punonjës, që kujdesën për mirëmbajtje e siguri të lokalitetit.
Grupet që paralajmërojnë vizita priten nga arkeologu Milot Berisha, i cili edhe udhëhoqi projektin për themelimin e Parkut. E ata që nuk paralajmërojnë vizitat, informacionet për strukturat e ndërtesave të antikitetit mund t’i marrin vetëm nga përmbajtja e tabelave informuese.