Anglia dhe Gjermania rikthejnë rivalitetin epik

Prishtinë | 26 Qer 2021 | 14:06 | Nga Ekonomia Online

Një nga ndeshjet me rivalitetin më të madh në nivel përfaqësuesesh do të përsëritet të martën në Kampionatin Evropian, kur Anglia luan kundër Gjermanisë në 1/8 e finales në “Wembley Stadium”.

Këto përfaqësuese kanë luajtur disa ndeshje epike në të kaluarën, përfshirë finalen e Kupës së Botës 1966 dhe gjysmëfinalen në “Euro 1996”.

Që të dyja fituan nga një prej këtyre ndeshjeve, por në përgjithësi gjermanët udhëheqin me 15 fitore. Ata kanë 13 humbje, kurse janë regjistruar katër barazime.

Më poshtë paraqesim disa prej ndeshjeve më të mëdha të Anglisë dhe Gjermanisë.

1938: Anglia 6, Gjermania 3

Më pak për rezultatin dhe më shumë për atë që u shfaq para fillimit të ndeshjes në praninë e 110 mijë tifozëve në “Olympic Stadium” në Berlin, vizitorët anglezë dhanë përshëndetjen naziste kur po intonohej himni gjerman.

Dhe këtë e bën nën urdhrat e Qeverisë Britanike.

Ky akt i dha Adolf Hitlerit një grusht shteti propagandistik një vit para se Britania t’i shpallte luftë Gjermanisë naziste në vitin 1939 pas pushtimit të saj në Poloni.

1966: Anglia – Gjermania Perëndimore 4:2

Anglia e fitoi titullin e vetëm të saj të Botës, pasi e mposhti Gjermaninë Perëndimore në Londër në ndeshjen që dhuroi moment të fuqishëm kontrovers e që ende është temë debati.

Në vazhdime, kur rezultati ishte 2:2, Alan Ball harkoi për bashkëlojtarin e tij anglez Geoff Hurst, i cili u kthye dhe goditi. Topi goditi pjesën e poshtme të traversës së portës së Gjermanisë Perëndimore dhe Roger Hunt ngriti dorën për të treguar se topi ra mbi vijën e golit.

Wolfgang Weber mendoi se e dërgoi topin jashtë për këndore, por gjyqtari zviceran, Gotffried Dienst, u konsultua me gjyqtarin anësor nga Bashkimi Sovjetik, Tofik Bakhramov, i cili besoi se ishte gol.

Kamerat, këndet e limituara dhe kualiteti i dobët i pamjes, bën që të jetë e paqartë edhe në ditët e sotme nëse topi e kishte kaluar vijën. Por goli u shënua në tabelën e numrave në “Wembley Stadium”, e që ishte goli i dytë i Hurstit.

Goli i tretë i tij – gjuajtja e fuqishme me të majtën – e kompletoi atë që ende mbetet në ditët e sotme, si “hat-tricku” i parë i shënuar në një finale të Kupës së Botës.

1970: Gjermania Perëndimore – Anglia 3:2

Gjermanët u rikthyen nga disavantazhi 2:0 në çerekfinale të Botërorit 1970 në Meksikë dhe zyrtarisht e përfunduan periudhën e Anglisë si kampione e botës.

Alan Mullery dhe Martin Peters i dhanë avantazhin Anglisë, por Franz Beckenbauer e nisi rikthimin. Trajneri i Anglisë, Alf Ramsey, e zëvendësoi mesfushorin Bobby Charlton, ndërsa barazimi nga kapiteni i Gjermanisë Perëndimore, Uwe Seeler, e dërgoi ndeshjen në vazhdime.

Gerd Muller me volej – gjuajtje i dha fitoren e parë garuese Gjermanisë kundër Anglisë dhe gjysmëfinalen kundër Italisë – ndeshje të cilën gjermanët e humbën.

1972: Anglia – Gjermania Perëndimore 1:3

Para se të rritej faza finale e Kampionatit Evropian, çerekfinalet ende ishin pjesë e kualifikimeve dhe luheshin me dy ndeshje, në shtëpi e mysafir.

Anglia ishte nikoqire e Gjermanisë Perëndimore në ndeshjen e parë në “Wembley” në vitin 1972 dhe Uli Hoeness e kaloi Gjermaninë në avantazh me gjuajtje të shkëlqyer jashtë zonës së penalltisë, duke e lënë pa asnjë gjasë për pritje portierin e Anglisë, Gordon Banks.

Francis Lee arriti që t’i barazonte shifrat për Anglinë, por Gunter Netzer dhe Gerd Muller shënuan më vonë, në minutat 84 dhe 88, për t’i dhënë fitoren Gjermanisë Perëndimore 3:1, që ishte avantazh i lartë për ndeshjen e dytë. Ndeshja e radhës u luajt në “Olympic Stadium” në Berlinin Perëndimor dhe përfundoi 0:0. Ky rezultat e dërgoi Gjermaninë Perëndimore në rrugën drejt titullit, të cilin e festoi në Bruksel.

1990: Gjermania Perëndimore – Anglia 1:1 (4:3 me penallti)

Njësoj si në vitet 1966 dhe 1970, ekipet shkuan në vazhdime në Kupën e Botës – kësaj radhe në Itali, në gjysmëfinale.

Gary Lineker barazoi për Anglinë, pasi Andreas Brehme me devijim kishte shënuar për 1:0.

Ndeshja u bë edhe më shumë e paharrueshme për shkak të lotëve të Paul Gascoignes, i cili u ndëshkua me karton të verdhë që e linte jashtë finales. Kishte edhe më shumë të qara kur Anglia humbi në ekzekutimin e penalltive.

Stuart Pearce dhe Chris Waddle gjuajtën mbi portë dhe gjermanët më pas e fituan finalen.

1996: Anglia – Gjermania 1:1 (5:6 me penallti)

Nuk pati fitore të dytë kundër Gjermanisë në “Wembley Stadium” në një turne të madh futbolli.

Alan Shearer e kaloi Anglinë në epërsi me golin e shënuar me kokë në gjysmëfinale të “Euro 1996”, por Stefan Kuntz barazoi për gjermanët tani më të unifikuar. Paul Gascoigne më pas dështoi ta konkretizonte në gol harkimin e Shearerit dhe loja shkoi në penallti.

Përzgjedhësi aktual i Anglisë, Gareth Southgate, e humbi penalltinë vendimtare dhe Gjermania e fitoi titullin më pas.

2000: Gjermania – Anglia 1:0

Ndeshja e fundit në “Wembleyn” e vjetër ishte edhe ballafaqimi i fundit i Kevin Keeganit në krye të Përfaqësueses së Anglisë.

Trajneri vendosi të jepte dorëheqje derisa kërkonte privatësi në një kabinë banje, pak pasi gjuajtja e Dietmar Hamann nga faulli mposhti portierin David Seaman.

2001: Gjermania – Anglia 1:5

Në tokën gjermane, Anglia vulosi fitore dominuese nën drejtimin e Sven-Goran Erikssonit, si dhe paraqitjen më të mirë kundër ekipit të Gjermanisë së unifikuar.

Carsten Jancker i dha avantazhin Gjermanisë në Mynih në ndeshjen kualifikuese për Kupën e Botës 2002, por treshja e Liverpoolit u kujdes për çdo gjë.

Michael Owen realizoi “hat-trick”, Steven Gerrard me gjysmëvolej i dha avantazhin Anglisë dhe Emile Heskey e dha goditjen e fundit.

2010: Gjermania – Anglia 4:1

Përsëri në Kupën e Botës, kësaj radhe në 1/8 e finales në Afrikën e Jugut, dy ekipet shënuan pesë gola, por ndeshja më së shumti kujtohet për një që nuk u pranua.

Pasi ishte duke humbur 2:0, Anglia e ngushtoi epërsinë me mbrojtësin Matthew Upson. Ekipi i ringjallur i Anglisë më pas u hodh në sulm për ta kërkuar golin e barazimit dhe Frank Lampard goditi mençur nga vija e zonës së rrezikshme.

Topi goditi pjesën e poshtme të traversës dhe xhirimet televizive treguan qartë se topi e kishte kaluar vijën e portës gjermane.

Gjyqtari, megjithatë, e vazhdoi lojën, një goditje e rëndë për anglezët që nuk u kthyen më e më pas pranuan edhe dy gola të tjerë nga gjermanët.

Goli që nuk u pranua e transformoi sportin. Teknologjia e vijës së portës filloi të aplikohej katër vjet më vonë, në Kupën e Botës 2014 në Brazil.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme