Agjencia për Ndihmë Juridike Falas, e mbështetur nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) gjatë kësaj jave do të organizojnë një fushatë ndërgjegjësimi për shërbimet e ndihmës juridike falas në katër komuna: Prizren, Ferizaj, Mitrovicë dhe Gjakovë.
Objektivi i përgjithshëm i fushatës është rritja e ndërgjegjësimit tek qytetarët për shërbimet e ndihmës juridike falas që i kanë në dispozicion dhe promovimi i qasjes në drejtësi për të gjithë qytetarët në Kosovë.
Fushata ka filluar sot (22 maj) në Prizren dhe do të vazhdojë në Ferizaj më 23, Mitrovicë më 24 dhe Gjakovë 25 maj.
Sesionet punuese në këto komuna do të zhvillohen gjatë paradites me aktorë kryesorë komunalë të ndihmës juridike falas për të identifikuar sfidat në lidhje me qasjen e shërbimeve të ndihmës juridike falas tek qytetarët.
Pjesa publike e ngjarjes do të zhvillohet pasdite, ndërsa qytetarët e komunave përkatëse do të informohen për ndihmën juridike falas në komunën e tyre përmes seancave të drejtpërdrejta të pyetje & përgjigjeve, fletëpalosjeve dhe informatave. Për më tepër, një sondazh i opinionit publik do të zhvillohet gjatë ngjarjes në secilën komunë.
Qasja në drejtësi është një pjesë jetike e mandatit të UNDP-së për të ulur varfërinë dhe për të forcuar qeverisjen demokratike. Brenda kontekstit të gjerë të reformës së drejtësisë, prioritet për UNDP-në është mbështetja drejtësisë për të gjithë njerëzit. Për më tepër, kjo është në përputhje me angazhimin e fuqishëm të UNDP-së në përmbushjen e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm.