Katër vite pas lansimit të fushatës dhjetëvjeçare për zhdukjen e pashtetësisë në nivel global, UNHCR, Agjencia e OKB-së për refugjatët, sot u bëri thirrje shteteve që të ndërmarrin veprime më të shpejta dhe më të vendosura për të ndihmuar në përmbushjen e qëllimit të fushatës.
Që nga nëntori i vitit 2014, kur edhe filloi fushata #IBelong (unë përkas) e UNHCR-së, janë arritur rezultate të rëndësishme. Më shumë se 166,000 njerëz pa shtetësi kanë fituar ose kanë konfirmuar shtetësinë e tyre, 20 shtete kanë aderuar në Konventën e Pashtetësisë, duke e çuar kështu në 91 numrin e përgjithshëm të palëve në Konventën për Statusin e Personave pa Shtetësi të vitit 1954 dhe në 73 në Konventën mbi Reduktimin e Pashtetësisë të vitit 1961. Nëntë shtete kanë krijuar ose përmirësuar procedurat e përcaktimit të pashtetësisë, gjashtë shtete kanë reformuar ligjet e tyre të kombësisë dhe dy të tjera kanë eliminuar diskriminimin gjinor që parandalonte nënat t’ua kalojnë kombësinë fëmijëve të tyre. Planet kombëtare për t’i dhënë fund pashtetësisë janë miratuar zyrtarisht në nëntë vende.
Megjithatë, përkundër këtyre arritjeve, ende miliona njerëz mbeten pa shtetësi. Shumica prej tyre gjenden në shtetet e Azisë dhe të Afrikës. Është e vështirë të përcaktohet saktësisht sa persona janë pa shtetësi ose në rrezik të pashtetësisë në mbarë botën. Në vitin 2017, përafërsisht 70 vende raportuan 3.9 milionë persona pa shtetësi. Por, UNHCR vlerëson se kjo është vetëm një pjesë e numrit të përgjithshëm – numri i vërtetë mund të jetë shumë më i madh.
“Sot, u bëj thirrje politikanëve, qeverive dhe ligjvënësve anembanë botës të veprojnë tani, të ndërmarrin dhe mbështesin veprime vendimtare për të eliminuar pashtetësinë në nivel global deri në vitin 2024”, tha Komisioneri i Lartë i OKB-së për Refugjatët, Filippo Grandi. “Kjo është gjëja e duhur për t`u bërë në aspektin njerëzor, etik dhe politik. Çdo person në këtë planet ka të drejtën e kombësisë dhe të drejtën për të thënë “UNË PËRKAS” (I BELONG)
Pashtetësia ka shumë shkaqe, por nxitësi më i madh janë problemet në ligjet për shtetësinë, duke përfshirë diskriminimin. Ndikimi mbi individët dhe familjet e tyre është i menjëhershëm dhe mund të jetë i rëndë. Pashtetësia nënkupton një jetë pa kombësi, dhe çdo gjë që vjen me të. Të qenit pa shtetësi mund të nënkuptojë një jetë pa arsimim, pa kujdes shëndetësor, ose punësim të ligjshëm. Mund të nënkuptojë një jetë pa mundësinë për t’u martuar, për të pasur një shtëpi, për të lëvizur lirshëm – një jetë në margjinat e shoqërisë, pa perspektivë e shpresë.
“Personat pa shtetësi ende përballen me pengesa të mëdha në ushtrimin e të drejtave themelore të njeriut”, tha Grandi. “Zhdukja e pashtetësisë kërkon eliminimin e diskriminimit nga ligjet dhe praktikat e kombësisë. Shtetet si Kenia, Kirgistani dhe Tajlanda po hapin rrugën, duke treguar se me vullnet dhe përkushtim politik si dhe me përpjekje të përbashkëta kombëtare, jetët e dhjetëra mijëra njerëzve mund të transformohen përmes fitimit të kombësisë”.
Vetëm 25 vende anembanë botës ende mbajnë diskriminimin gjinor në ligjet e tyre të kombësisë, që parandalon nënat t’ua kalojnë kombësinë fëmijëve të tyre në baza të barabarta si burrat – Madagaskari dhe Sierra Leone janë vendet më të fundit që i ndryshuan këto ligje. Në pothuajse çdo rajon të botës është lansuar një deklaratë dhe një plan veprimi për të trajtuar pashtetësinë. Këto iniciativa rajonale janë duke nxitur blloqe kombesh që të punojnë me njëri tjetrin për të konfrontuar dhe zgjidhur këtë problem të të drejtave të njeriut. Në kuadër të synimeve të Objektivave për Zhvillim të Qëndrueshëm, Objektivi i 16-të është eliminimi i pashtetësisë – me synimin e tij që të sigurojë identitetin ligjor për të gjithë deri në vitin 2030.
Me qëllim të ngritjes së kapacitetit të parlamenteve dhe ligjvënësve që në mënyrë efektive të parandalojnë dhe reduktojnë pashtetësinë si dhe të identifikojnë dhe mbrojnë personat pa shtetësi, UNHCR, në bashkëpunim me Unionin Ndërkombëtar të Parlamenteve, është duke publikuar doracakun e ri mbi “Praktikat e Mira në Ligjet Kombëtare për Parandalimin dhe Reduktimin e Pashtetësisë”.