Rrjeti CSR Kosova (Kosovo CSR Network) së bashku me zyrën e UNICEF në Kosovë, kanë organizuar Punëtorinë për Zhvillimin e Kapaciteteve të sektorit privat për Përgjegjësi Shoqërore.
Gjatë ketij organizimi janë paraqitur prezantime dhe diskutime mbi Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm (SDG – Sustainable Development Goals) të Agjendës 2030 të OKB, dhe lidhja me CSR – Përgjegjësinë Shoqërore të Ndërmarrjeve, Start-ups dhe nevoja për mbështetjen e rinisë nga bizneset, si dhe përhapja e vullnetarizmit në Kosovë.
Kjo ngjarje u bë në kuadër të nismës së bashkëpunimit të dy organizatave që të përdoret fuqia e sektorit privat në të mire të rinisë.
Gjatë organizimit, fillimisht pjesëmarrësve ju adresuan Shefi i zyrës së UNICEF për Kosovë Murat Sahin, Drejtorja e Rrjetit CSR Kosova, Linda Tahiri Rukiqi dhe zv. Shefi i zyrës së UNICEF për Kosovë James Mugaju, të cilët ftuan bizneset që veprojne në Kosove të kontribuojne në aktivitete të Përgjegjshme ndaj Shoqërisë dhe fuqizimit të rinisë, që së bashku të punohet për të rritur stabilitetin dhe prosperitetin në vend.
Gjatë punëtorisë u trajtua hollësisht vështrimi mbi Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm (SDG – Sustainable Development Goals) të Agjendës 2030 të OKB nga niveli qendror dhe si mund të kontribuojë sektori privat në të; ekosistemi i StartUP në Kosovë, zhvillimi e tij dhe ndikimi i bizneseve në nje zhvillim të qëndrueshëm; si dhe roli i sektorit privat në vullnetarizëm dhe investimi në te ardhmen e tregut të punës në Kosovë. Këto tema u trajtuan nga profesionist të fushave përkatëse nga ekipi i UNICEF, dhe anëtarësia e Kosovo CSR Network, duke përfshirë Lekë Musa nga BakerTilly, Albena Pllana nga CocaCola HBC, Vigan Sylejmani nga Sharrcem.