Unioni i Bizneseve Shqiptare-Gjermane themelon Degën në Kosovë, Shkëlzen Jusaj zgjidhet kryetar

Prishtinë | 05 Kor 2024 | 20:25 | Nga Natyra Salihaj Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Unioni i Bizneseve Shqiptare-Gjermane (UBShGj) ka mbajtur Kuvendin e parë themelues të Degës në Kosovë.

Biznesmeni Shkëlzen Jusaj me 19 vota ka marrë besimin si kryetar i Degës së UBShGj-së në Kosovë; derisa anëtarë të Kryesisë janë zgjedhur edhe Burim Kuraja; Faton Kutllovci, Miftar Veseli dhe Faton Nuredini, raporton Ekonomia Online.

Kryesuesi i sapozgjedhur, Shkëlzen Jusaj, duke iu drejtuar të pranishmëve, prezantoi synimet e tij për të ardhmen, duke u përqendruar në adresimin e çështjeve kyçe që do të ndihmonin në zhvillimin e bizneseve dhe ekonomisë së vendit.

Jusaj theksoi se Kosova aktualisht po vuan për fuqi punëtore dhe ka propozuar që të hapen shkolla profesionale.

“Ne propozojmë institucioneve për të krijuar shkolla profesionale për të fuqizuar fuqinë punëtore. Unë kam propozime që të kemi memorandume bashkëpunimi, të harmonizojmë dhe t’i vendosim në drafte t’i dërgojmë në institucione për t’i zhvilluar”.

“Ju falënderoj të gjithëve për besimin dhe sigurisht se do bëjmë maksimumin të mos iu dështojmë”, ka thënë Jusaj.

Në mbledhjen e kuvendit u diskutua lidhur me gjendjen ekonomike në Kosovë, kushtet e bërjes biznes, mundësitë e tërheqjes së investimeve dhe rritjes së eksporteve.

Drejtori Ekzekutiv i UBShGJ-së, Bekim Brestovci, ka thënë se qëllimi i Unionit, pas 10 viteve punë të suksesshme në Gjermani e diasporë, të shtrihet dhe rrisë anëtarësinë edhe në Kosovë.

“Unioni i Bizneseve qe 10 vite ka pasur një rezultat tejet të madh, është krenar për secilin anëtar që kanë dhënë kontributin e tij. Një nga objektivat është ndërlidhja sa më e madhe me shërbimet, të krijojmë anëtarësi në Kosovë. Synimet tona janë bukur madhore dhe arritja e tyre është shumë e rëndësishme”, ka thënë Brestovci.

“Për ne si union është një ditë e rëndësishme e veçantë, sepse po bëhen 7 muaj që kur jamë hapur zyrat. Sot pas 7 muajsh po takohemi me një numër të anëtarëve që deri më tani janë 56. Andaj të gjithë ju që jeni sot prezent ju përshëndes dhe ju faleminderit”, ka thënë ai.

Nazmi Viqa, kryetari i UBShGJ-së, tha se janë mbledhur sot për ta bërë kurorëzimim e një punë të madhe të degës në Kosovë. 

“Kosova ka shumë sfida në rrugën e saj drejt zhvillimit ekonomik. Adresimi i tyre i drejtë dhe i plotë kërkon përpjekje të përbashkëta nga sektori privat, institucionet shtetërore dhe organizatat ndërkombëtare. Unioni i Bizneseve Shqiptaro-Gjermane duhet të jetë shumë aktiv në këtë aspekt, sidomos në ato çështje në të cilat mund të jap kontribut direkt dhe në mënyrë të pavarur”, ka thënë Viqa.

“Mbështetja për eksportet ka arritur standardet e kërkuara; disa kompani kanë depërtuar në treg disa jo. Qëllimi ynë është formimi i urave lidhëse. Bizneset kanë nevojë që të krijojnë kontakt për biznese, sidomos me ato gjermane”, tha Viqa.

Ai shtoi se me themelimin e degës në Kosovë, pret të ketë angazhim në zhvillim dhe zgjerim të aktiviteteve.

“Në fokus grupet sektoriale në identifikim për zhvillim të ekonomisë së vendit, të bashkëpunojmë me organizata ndërkombëtare edhe ato të Unionit në Gjermani. Fuqia jonë është e madhe, por edhe përgjegjësia”, ka thënë kryetari i UBShGJ-së.

Në këtë mbledhje u miratua edhe Deklarata e Kuvendit, përmes të cilës Dega e UBSHGJ në Kosovë, ndër të tjera, u zotua që të ofrojë mbështetje për bizneset në Kosovë në sigurimin e qasjes më të lehtë dhe më të favorshme në financa; të krijojë ura lidhëse midis kompanive nga Kosova dhe tregut gjerman; të avokojë për politika ekonomike e fiskale më të favorshme; si dhe të bashkëpunojë me organizata ndërkombëtare e vendore për realizimin e projekteve të përbashkëta që kontribuojnë në zhvillimin ekonomik të Kosovës.

Të ngjashme