Manchester United po planifikon të zhvillojë bisedime me kapitenin Bruno Fernandes për të diskutuar të ardhmen e tij në klub, përpara Botërorit 2026, raporton ESPN.
Klubi dëshiron ta mbajë mesfushorin portugez të paktën edhe për një vit tjetër në Old Trafford, ndërsa Fernandes ka kontratë deri në vitin 2027, me opsion për një vit shtesë që mund ta mbajë deri në 2028.
31-vjeçari ishte shumë pranë transferimit te Al Hilal verën e kaluar, dhe pritet që interes të ri për të të shfaqet pas përfundimit të sezonit aktual. Megjithatë, vendimi i fundit për të ardhmen do të jetë i Fernandes dhe përfaqësuesve të tij.
Burime pranë klubit theksojnë se United dëshiron të marrë një indikacion nga Fernandes para Botërorit për të planifikuar lëvizjet e merkatos. Shumica e buxhetit të verës është parashikuar për të forcuar mesfushën, me lojtarë si Elliot Anderson, Adam Wharton dhe Carlos Baleba si prioritet. Nëse Fernandes largohet, ai do të duhet të zëvendësohet.