Në Shtëpinë e Sporteve në Prishtinë, është nënshkruar marrëveshja për sponsorisimin e Superligës së Kosovës në volejboll, në konkurrencën e femrave.
Në ceremoninë e nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje ishin të pranishëm rektori i Kolegjit Universi, dr. Dugagjin Sokoli, kryetari i Federatës së Volejbollit të Kosovës, dr. Abedin Ibrahimi dhe nënkryetari i FVK-së, Blerim Gërguri.
Rektori Sokoli tha se Kolegji Universi me këtë marrëveshje ka për qëllim që të ndihmojë sportin femëror në Kosovë, në këtë rast volejbollin.
Kjo marrveshje sponsorisimi, sipas Sokolit, është edhe një mundësi për ngritjen e vlerave të këtij sporti.
Nga ana e tij, kryetari i FVK-së, Abedin Ibrahimi tha se FVK-ja është e nderuar që ka gjetur mundësi bashkëpunimi me njërin nga kolegjet private të arsimit të lartë, siç është Kolegji Universi.
Edicioni i sivjetëm i Superligës së Kosovës do të emërtohet si Kolegji Universi – Superliga e Volejbollit – Femrat.