Mënyra e financimit të institucioneve të arsimit të lartë duhet të ndryshojë.
Nga universitetet publike është kërkuar që të gjenerojnë të hyra dhe të mos presin vetëm nga granti qeveritar.
Kjo çështje është ngritur nga ministri i arsimit Arsim Bajrami në Konferencën “Menaxhimi financiar i institucioneve publike të arsimit të lartë në Kosovë”, që u mbajt të mërkurën në Prishtinë.
“Secili universitet duhet të ngrejë kapacitetet e brendshme për të dizajnuar planin e zhvillimit strategjik dhe gjenerimin e të hyrave, si një mundësi e zhvillimit të një sistemi konkurrent të financimit. Jemi të vendosur të zhvillojmë procesin e profilizimit dhe krijimin e identitetit të çdo Institucioni të Arsimit të Lartë”, tha ministri Bajrami duke vlerësuar rëndësinë e kësaj Konference, sa i përket gjetjes së mënyrave më të mira të financimit dhe realizimit të plotë të autonomisë financiare të Institucioneve të Arsimit të Lartë, ndërlidhjes së universiteteve me nevojat e tregut të punës dhe profilizimin e fakulteteve drejt fushave për të cilat tregu ka nevojë.
Bajrami ka folur edhe për aplikimin e praktikave më të mira të universiteteve ndërkombëtare, sa i përket formulës së financimit, ndërlidhjen e formulës së financimit me performancën e IAL-së dhe sigurimin e të hyrave vetanake të financimit, në mënyrë që, sipas tij, Arsimi i Lartë të jetë një shtyllë e fuqishme e zhvillimit ekonomik të Kosovës dhe konkurrent në shtetet e BE- së.
Ministri Bajrami, po ashtu, ka ofruar mbështetjen e plotë për programet e reja, të cilat kërkohen nga studentët dhe mundësojnë ndërtimin e tyre në karrierë.
“Secili program duhet të ketë disa klauzola shtesë për të aplikuar, klauzolën e nevojës së atij programi, klauzolën e punësimit së studentëve dhe klauzolën financiare“, theksoi ministri. Konferenca ku ka marrë pjesë dhe rektori i Universitetit “Hasan Prishtina”, Marjan Dema si dhe përfaqësuesi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Luigji Brusa, është organizuar nga MAShT, në bashkëpunim me disa institucione vendore dhe ndërkombëtare.
Në këtë konferencë që do të jetë dyditore qëllimet kryesore janë: prezantimi i rezultateve të projektit “Ngritja e autonomisë dhe llogaridhënies financiare në institucionet publike të arsimit të lartë në Kosovë”, i financuar nga Bashkimi Evropian, përmes programit Tempus. (Gazeta Zeri)