Universitetet Publike në krizë

Prishtinë | 06 Jan 2025 | 09:25 | Nga Ekonomia Online

Gjatë vitit akademik 2023/2024, numri i studentëve të regjistruar në kolegjet private në Kosovë ka tejkaluar atë të studentëve të regjistruar në Universitetet Publike.

Bazuar në të dhëna zyrtare të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) shihet se në vitin akademik 2023/2024 në Universitete Publike në vit të parë janë regjistruar 7890 student, deri sa po këtë vit në kolegjet private janë regjistruar 8712 student.

Të dhënat tregojnë tregon një preferencë në rritje për arsimimin në Institucionet private, të cilat ofrojnë mundësi të ndryshme dhe shërbime më të personalizuara.

Sipas studenteve, por edhe njohëseve të kësaj fushe arsyet pse të rinjtë po zgjedhin si mundësi të parë kolegjet private përfshijnë fleksibilitetin në oraret e mësimit, programet e specializuara dhe kushte më të mira për studim. E sipas tyre kjo situatë thekson nevojën për të vlerësuar cilësinë e ofrimit të arsimit sidomos në Institucionet Publike në vend.

Studentët e regjistruara në Universitetet Publike

Gjithnjë referuar të dhënave të siguruara nga Agjencia e Statistikave e Kosovës shihet se në vitin akademik 2023/2024 në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” janë regjistruar 4293 student të rijnë, në Universitetin e Prizrenit “Ukishin Hoti” janë regjistruar 983 student, në Universitetin e  Gjilanit “Kadri Zeka” janë regjistruar 419 student, në Universitetin e Pejës “Haxhi Zeka”  sipas të dhënave të ASK-së janë të regjistruar 498 student, në Universiteti e Shkencave të Aplikuara Ferizaj janë 453 student, në Universitetin e Mitrovicës “Isa Boletini” janë 807 student, në Universitetin e Gjakovës “Fehmi Agani” janë të regjistruar 364 student, në Fakultetin e Studimeve Islame janë 73 student.

Studentët e regjistruara në Kolegje Private

Sipas të dhënave zyrtare shihet se në vitin akademik 2023/2024 në Kolegjin UBT janë regjistruar 2500 student të rinj, në kolegjin AAB janë regjistruar 3055 student të rinj, AUK-i ka të regjistruar 193 studentë të rinj, Kolegji i Shkencave Mjekësore “Rezonanca” ka të regjistruar 373 student të rinj në vitin akademik 2023/2024, Kolegji Tempulli ka regjistruar gjithsejtë 49 student, Kolegji Universum ka të regjistruar në vitin e parë 1627 student, Kolegji Heimerer ka të regjistruar 290 student, kolegji biznesi 294 student, Kolegji IBCM ka regjistruar 143 student,  Kolegji Pjetër Budi ka vetëm 10 student, Kolegji ESLG ka 22 student, Akademia Evolucion në vitin akademik 2023/2024 ka të regjistruar 156  student, raporton Front Online.

Paçarizi: Në shumicën e drejtimeve natyrore nuk plotësohet numri i kërkuar me konkurs

Në anën tjetër njohës të fushës, por edhe profesor të Universiteteve Publike thonë se në konkurset e shpallura nuk po plotësohet numri i studenteve të paraparë më konkurse. Rënia e numrit të studentëve në arsimin e lartë në Kosovë ka shënuar një trend të dukshëm në vitet e fundit, i cili është veçanërisht i theksuar në Fakultetin e Shkencave Matematiko-Natyrore të Universitetit të Prishtinës. Profesori Musaj Pacarizi, profesor në këtë fakultet, për portalin Front Online shpjegon se ky trend ka nisur që nga viti 2020-2021, kur numri i studentëve të regjistruar filloi të bie, dhe tani, në shumicën e drejtimeve të Fakultetit, nuk plotësohet as numri i kërkuar i studentëve përmes konkursit të pranimit.  Kjo rënie sipas Pacarizit nuk është e kufizuar vetëm në këtë fakultet, por po vërehet edhe në shumë fakultete të tjera të Universitetit të Prishtinës.

“Në Fakultetin e Shkencave Matematiko-Natyrore, numri i studentëve ka filluar të ketë rënie që nga viti 2020-2021, dhe tash në shumicën e drejtimeve nuk plotësohet numri i kërkuar me konkurs. Mirëpo, ky trend i rënies tash vërehet edhe në shumicën e Fakulteve tjera në Universitetin e Prishtinës’’, tha Pacarizi për Front Online. Sipas profesor Pacarizit, arsyeja kryesore e këtij uljeje është kompleksiteti dhe angazhimi i lartë që kërkojnë degët e Shkencave Matematiko-Natyrore.  Këto sipas tij kërkojnë përkushtim të madh, si në ligjërata ashtu edhe në ushtrime praktike, dhe shpesh konsiderohen si degë “më të vështira”, të cilat mund të demotivojnë studentët e mundshëm. Po ashtu, një tjetër faktor ndikues është tregu i punës, i cili është relativisht i kufizuar për studentët e këtyre degëve, sidomos në industrinë kimike, ku numri i fabrikave që operojnë me kapacitet të plotë është i vogël, duke e bërë më të vështirë gjetjen e mundësive të punës pas diplomimit. ‘’Unë mendoj se interesimi studentëve në drejtimet e Fakultetit të shkencave matematiko-natyrore është më i vogël për shumë arsye: a) janë drejtime që kërkojnë angazhim më të madh të studentëve në ushtrime dhe ligjërata, si dhe konsiderohen si drejtime “më të vështira” b) tregu i punës është i vogël, dhe mundësia e kufizuar që ata të gjejnë punë në industri të ndryshme kimike, sepse numër i vogël i fabrikave janë duke punuar me kapacitetin e duhur’’, deklaroi Pacarizi.

Profesori Paçarizi gjithashtu thekson ndikimin e zvogëlimit të natalitetit dhe migrimit te të rinjve, të cilët shpesh largohen për të kërkuar mundësi më të mira jetese jashtë Kosovës.

Ky fenomen sipas tij ka kontribuar në një numër më të vogël të studentëve që regjistrohen në Universitet, duke ndikuar kështu në rënien e regjistrimeve. Për më tepër sipas Pacarizit ka ndikuar edhe rritja e numrit të kolegjeve private dhe marketingu i fuqishëm që ato realizojnë, duke ofruar mundësi më fleksibël për studentët, kanë bërë që shumë të rinj të tërhiqen nga universitetet publike dhe të regjistrohen në këto institucione private. ‘’Zvogëlimi i natalitetet dhe largimi i të rinjve për ne vendet tjera duke shpresuar për një jetë më të mirë , mirëpo ka ndikuar edhe numri i madh i kolegjeve private, si dhe marketingu i fortë që bëhet nga këto kolegje…, si dhe shumë faktorë tjerë’’, deklaroi Pacarizi.

Ish zëvendës ministri i arsimit: Shkaku kryesor i rënies së numrit të studenteve – rënia e shtimit demografik dhe emigrimi

Ish-zëvendësministri i Arsimit dhe njohësi i arsimit, Xhavit Rexhaj ka dhënë një analizë të hollësishme mbi rënien e numrit të studentëve në disa drejtime akademike në Universitetin e Prishtinës. Sipas tij, ka disa faktorë kryesorë që po ndikojnë në këtë fenomen, duke përfshirë ndryshimet demografike, emigrimin dhe papërshtatshmërinë e ofertës akademike me kërkesat e tregut të punës. Rexhaj shpjegoi se shkaku kryesor i rënies së numrit të studentëve në Universitetin e Prishtinës dhe në Institucionet e arsimit të lartë në Kosovë është rënia e shtimit demografik. Shtimi i popullsisë ka rënë ndjeshëm në Kosovë, duke kaluar nga 30 lindje për 1000 persona në vetëm 10 promil, sipas të dhënave më të fundit të regjistrimit të popullsisë. Kjo ka ndikuar drejtpërdrejt në uljen e numrit të studentëve që regjistrohen në universitetet e vendit. “Shkaku kryesor i rënies së numrit te studenteve ne institucionet e arsimit te larte ne Kosove – jo vetëm në disa drejtime dhe jo vetëm ne UP – është ne trendët e përgjithshme demografike. Në ketë kuptim dihet se prej rreth 30 promileve (30 lindje për 1000 persona) shtimi demografik ne Kosove tashme ka rene nen 10 promil’’, deklaroi Rexhaj.

Një tjetër faktor i rëndësishëm është emigrimi i qytetarëve kosovarë, veçanërisht drejt vendeve perëndimore, për arsye pune, shëndetësore dhe mundësish më të mira edukimi. Ky fenomen ka sjellë një humbje të mëtejshme të potencialit të studentëve që mund të regjistroheshin në universitet, duke i shtyrë ata të kërkojnë mundësi të tjera jashtë vendit.

“Shkaku i dytë është emigrimi kryesisht ne vendet perëndimore për punësim, jetë, shëndetësi dhe për edukim më të mirë’’, tha Rexhaj.

Një element tjetër, sipas Rexhajt, është ngopja e kërkesës për arsimin e lartë nga individët që nuk kishin mundësi edukimi gjatë periudhës së vështirë të viteve të 90-ta në Kosovë. Ky grup ka përfunduar tashmë arsimimin dhe ka plotësuar kërkesat për kualifikime profesionale, duke kontribuar gjithashtu në uljen e numrit të studentëve të rinj.

Rexhaj sugjeroi disa masa për të rritur interesin për drejtime që po përjetojnë rënie të numrit të regjistrimeve

Ai përmendi përvojat e suksesshme në disa institucione private dhe në disa programe të Universitetit të Prishtinës, si Fakulteti i Inxhinierisë Elektrike dhe Psikologjia, të cilat kanë pasur një kërkesë të mirë nga studentët dhe janë të lidhura me mundësi punësimi.

Po ashtu, Rexhaj theksoi rëndësinë e procedurave të akreditimit dhe monitorimit të cilësisë nga Agjencia e Akreditimit të Kosovës, si dhe mundësitë e partneritetit dhe mobilitetit ndërkombëtar, si programet Erasmus Plus dhe Horizon, që mund të ofrojnë mundësi më të mira për studentët.

Qehaja: Shumë maturantë të shohin Universitetin si një mundësi të dytë

Rinor Qehaja, drejtor i Institutit ‘ED Guard’, ka ndarë mendimet e tij mbi faktorët që po ndikojnë në rënien e numrit të studentëve në Universitetin e Prishtinës dhe ka sugjeruar disa masa për përmirësimin e situatës. Qehaja theksoi se rënia e numrit të studentëve nuk është vetëm një pasojë e faktorëve demografikë, por edhe e ndryshimeve në perceptimin e maturantëve për shkollimin universitar. Ai shtoi se shumë të rinj po preferojnë të hyjnë menjëherë në tregun e punës pas përfundimit të shkollës së mesme, duke kërkuar mundësi për një karrierë të shpejtë dhe të drejtpërdrejtë. Kjo ka bërë që shumë maturantë të shohin Universitetin si një mundësi të dytë dhe të mos konsiderojnë më arsimimin e lartë si një hap të domosdoshëm për zhvillimin e karrierës.

“Rrënja e numrit të studentëve përtej karakterit demografik padyshim që ka për faktor edhe ndryshimet në perceptimet e maturantëve për shkollimin universitar, futjen e drejtpërdrejt ne treg të punës pas shkollimit të mesëm’’, tha Qehaja.

Një tjetër faktor që Qehaja vuri në dukje është rritja e numrit të studentëve që preferojnë studimet në kolegje private.

‘’Arsye është edhe  trendin të rritje të studimeve në kolegje private si rezultat edhe i një ofertë të studimeve’’, deklaroi Qehaja. Qehaja theksoi rëndësinë e tregut të punës në zgjedhjen e drejtimeve akademike nga studentët. Ai theksoi se në kushte normale, mundësitë për punësim dhe karrierë të profileve të caktuara duhet të jenë faktorë determinues për përzgjedhjen e studimeve.

Sipas tij, sa më të vetëdijshëm të jenë maturantët për mundësitë që ofron tregu i punës, aq më të drejtpërdrejta dhe më të orientuara duhet të jenë zgjedhjet e tyre për drejtime akademike.

“Tregu i punës dhe mundësitë për punësim dhe karrierë të profileve të caktuara në kushte normale do të duhej të ishte determinues për përzgjedhjen për studime, dhe, sa më i rritur vetëdijesimi i maturantëve aq më në peshë drejtimi i studimeve’’, deklaroi për Front Online Qehaja.

Ai gjithashtu ka kritikuar Universitetin e Prishtinës për mungesën e fokusit të tij tek nevojat e studentëve. Ai ka shprehur shqetësimin se universiteti po e konsideron regjistrimin e studentëve si një proces të mirëqenë, duke menduar se kjo do të vazhdojë derisa financimi të jetë i mirëqenë.

“Universiteti i Prishtinës ende nuk e ka në vëmendje studentin. Kam përshtypjen që regjistrimi i studentëve është konsideruar i mirëqenë, dhe do të vazhdoj kështu deri sa universiteti të ketë financimin e mirëqene’’, potencoi Qehaja.

Osmani: Rënia e numrit të studentëve në UP lidhet me nepotizmin dhe rehatimin e militantëve në pozita akademike

Në këtë kontekst, edhe eksperti i njohur i çështjeve të arsimit, Argjend Osmani, e thekson se rënia e interesit për Universitetin e Prishtinës është pasojë e shumë faktorëve, ku përveç arsyeve që ka përmendur profesori Pacarizi, Osmani shton se një nga faktorët kryesorë është ofrimi i alternativave të tjera nga Universitetet e tjera, si dhe mundësia për të studiuar jashtë vendit. Ai thekson se Universitetet private gjithashtu po ofrojnë programe të ngjashme, çka e bën më të vështirë për Universitetin e Prishtinës të tërheqë student.

“Rënia e numrit të studentëve në Universitetin e Prishtinës mendoj se ka arsye të shumta por pikë së pari lidhet edhe me rënien e interesimit dhe ofrimit të alternativave që Universitetet e tjera faktikisht janë duke ofruar ‘’, tha Osmani.

Një tjetër faktor, sipas Osmanit, është problemi i brendshëm në Universitetin e Prishtinës, përfshirë çështje si nepotizmi dhe rehatimi i militantëve në pozita akademike. Këto çështje, sipas tij, kanë krijuar një klimë të pasigurt dhe të papërshtatshme për studentët, e cila ka ndikuar në perceptimin e publikut dhe ka krijuar një farë irritimi dhe averzioni. Kjo është një arsye tjetër që mund të ketë kontribuar në rënien e numrit të studentëve që regjistrohen në këtë universitet.

“Në këtë kontekst mos ta harrojmë edhe problemet e tjera që janë të evidentuara në universitet siç janë nepotizmi pastaj rehatimi i militantëve nëpër pozita të ndryshme akademike dhe si pasojë kjo ka ndikuar tek opinioni dhe tek publiku të krijohen edhe ato irritimet dhe averzione”, deklaroi Osmani .

Megjithatë, Osmani nuk e konsideron situatën si të pashpresë. Ai thekson se Universiteti i Prishtinës, përkundër vështirësive, vazhdon të mbajë një pozicion të rëndësishëm dhe të nderuar si një nga universitetet më prestigjioze të Kosovës.

“Megjithatë nuk mund të themi se gjithçka është keq sepse pavarësisht kësaj ky Universitet mban në një formë apo një primatin si universitet i pranuar dhe prestigjioz”, potencoi Osmani.

Të ngjashme