Këshilli Shtetëror i Cilësisë ka vendosur për pezullimin e akreditimit të programeve të studimit, të cilat kanë pasur mangësi të stafit akademik, shkruan sot Gazeta “Zëri”
Këshilli Shtetëror i Cilësisë (KSHC) së Agjencisë së Kosovës për Akreditim (AKA) ka shpallur rezultatet e akreditimit që është edhe një vizë për të shpallur edhe konkurset për pranimin e studentëve të rinj në universitete publike dhe në institucione të arsimit të lartë privat.
KSHC-ja ka marrë vendim për riakreditimin e gjithsej pesë institucioneve të arsimit të lartë në nivelin institucional dhe riakreditimin e 58 programeve të studimit.
Ndërsa, në përputhje me rekomandimet e ekspertëve ndërkombëtarë në mbledhjen e fundit ky Këshill ka marrë vendim për refuzimin e akreditimit të dy institucioneve private të arsimit të lartë në nivelin institucional dhe refuzimin e riakreditimit të 24 programeve të studimit, shkruan tutje “Zëri”.
“Në lidhje me angazhimin e stafit akademik për programet tashmë të akredituara të institucioneve publike dhe private të arsimit të lartë, KSHC-ja e AKA-së ka analizuar gjendjen e stafit akademik të secilit institucion të arsimit të lartë dhe në mungesë të plotësimit të kritereve sipas legjislacionit në fuqi ka marrë vendim për pezullimin e akreditimit të gjithsejtë 131 programeve të studimit të ofruar prej institucioneve publike dhe private të arsimit të lartë”, thuhet në njoftimin e Agjencisë të publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni.
Në këtë njoftim sqarohet se pezullimi i akreditimit të këtyre programeve të studimit nënkupton që këto institucione nuk do të kenë të drejtë të regjistrojnë studentë të rinj për vitin e ardhshëm akademik 2017/18 deri në një vendim tjetër të KSHC-së së AKA-së.
Mirëpo, bëhet e ditur se studentët e regjistruar në këto programe të studimit në vitet e mëhershme akademike, tanimë të pezulluara, do të vazhdojnë me studimet e tyre në përputhje me statutin e institucionit, si dhe me dispozitat ligjore në fuqi