Profesori, Ylber Januzaj, anëtar i Këshillit Drejtues në Universitetin e Mitrovicës “Isa Boletini” (UMIB), ka marrë pjesë në një takim të Rrjetit të Universiteteve të Frankofonisë që është mbajtur në Bukuresht të Rumanisë. Përveç UMIB-it në këtë takim ishin të pranishëm edhe përfaqësues të Universitetit të Prishtinës dhe Universitetit të Gjakovës.
Përfaqësuesit e universiteteve kosovare gjatë qëndrimit në Bukuresht u takuan edhe me presidentin e Rrjetit të Universiteteve të Frankofonisë, Mohamed Ketata. Ata biseduan për thellimin e bashkëpunimit dhe mundësinë e futjes së gjuhës frënge si lëndë zgjedhore në ndonjë nga programet e universiteteve kosovare.
Ndryshe, Universiteti i Mitrovicës “Isa Boletini” (UMIB), është anëtarësuar në fund të vitit të kaluar në Rrjetin e Universiteteve të Frankofonisë, ku bëjnë pjesë universitete, kolegje dhe institute kërkimore. Pas Universitetit të Prishtinës, UMIB-i është universiteti i dytë në rajon që është anëtarësuar në këtë rrjet që numëron 884 anëtarë, prej 111 shteteve të ndryshme.
Përveç rrjetit të universiteteve, Rrjeti i Frankofonise bashkëpunon edhe me institucione shtetërore dhe organizata internacionale. Të qenit anëtar në këtë rrjet, mundëson qasje në rrjetin global të institucioneve anëtare, akademikëve dhe studiuesve frankofonë, mandej pjesëmarrje në projekte ndërmjet institucioneve anëtare si dhe pjesëmarrje në përgatitjen e projekteve.
Gjithashtu anëtarët e këtij rrjeti të themeluar para 50 viteve, përfitojnë nga mjetet dhe burimet arsimore të përshtatura për nevojat dhe kontekstet rajonale, duke promovuar përdorimin e teknologjive të informacionit dhe komunikimit për mësimdhënie dhe kërkime etj.