Universiteti i Prishtinës ka reaguar pas raportimeve se po pengohet avancimi i një gruaje që mori më së shumti pikë nga komisioni vlerësues i FShMN’së, në Konkursin për emërimin, riemërimin dhe avancimin e personelit akademik në fakultetet e UP-së. Bëhet fjalë për avancimin e Tropikë Agajt, ish-këshilltare e kryeparlamentarit Glauk Konjufca.
Përmes një reagimi drejtuar mediave, UP’ja ka thënë se në kategorinë e emërimeve për herë të parë në thirrjen asistent, përkatësisht punësimeve si asistent, në konkursin i cili është duke u përmbyllur, janë emëruar 52 asistentë, prej të cilëve 31 gra dhe 21 burra.
“Universiteti i Prishtinës mbetet i përkushtuar të promovoj ndershmërinë dhe integritetin akademik dhe punësimet t’i realizoj bazuar në meritokraci, duke krijuar mundësi të barabarta për të gjithë pa asnjë lloj diskriminimi në bazë gjinie, race, orientimi seksual, statusi martesor, gjuhe, religjioni, besimi politik, përkatësie kombëtare, etnike ose sociale, statusi të lindjes apo ndonjë statusi tjetër.
Në këtë kontekst, si dhe me qëllim të sigurimit të transparencës së plotë të UP-së, ftohen mediat dhe organizatat e interesuara të marrin pjesë në mbledhjen e nesërme të Senatit të UP-së, më fillim nga ora 14:00, në të cilën do të trajtohen pozitat e mbetura në Konkursin për personel akademik”, thuhet në reagim.
Sipas raportimeve, “edhe pse Tropikë Agaj ka dalë më e poentuara nga komisioni vlerësues i fakultetit të saj, dhe edhe pse Këshilli i Etikës së UP-së me 29 dhjetor ka dalë me një vendim që është në favor të saj, fushata që kanë zhvilluar burrat që synojnë të bëhen asistent por nuk i plotësojnë kushtet më shumë se ajo, kanë ndikuar jo vetëm që ajo të mos e marrë këtë pozitë, por edhe ta humb vendin e punës që e ka pasur jashtë UP-së.”
Ndryshe, kundërkandidatët e Agajt kishin pretenduar që e njëjta e ka falsifikuar një të dhënë, e cila ia siguroi 10 pikë.
Por krejt këto akuza, i kishte mohuar Agaj.
Ajo, nëpërmjet një përgjigjjeje shkrim, kishte deklaruar për T7 se të njëjtit janë duke tentuar që ta dëmtojnë imazhin e saj.
Madje e njëjta kishte paralajmëruar edhe padi civile ndaj tyre.
“Asnjëra nga këto që janë cekur në e-mail nuk qëndrojnë, së pari, dy personat që janë paraqitur në redaksinë tuaj të cekur lartë nuk kanë qenë kundër kandidatë. Unë si kandidate jam vlerësuar nga Komisionet përkatëse pozitivisht dhe posedoj materiale të cilat e dëshmojnë korrektësinë time karshi Universitetit të Prishtinës ku jam e gatshme t’i ofroj në çdo kohë. Për momentin jam në proces të hapjes së padisë civile për shpifje dhe tentim të degradimit të imazhit tim duke qenë arsyeja për informatat e paqena të shpërndara nga personat në fjalë”, kishte thënë Tropikë Agaj.