Senati i Universitetit Publik “Haxhi Zeka” në Pejë, për vitin e ri akademik ka vendosur të pranojë 2 mijë e 417 studentë në vitin e parë të studimeve themelore- bachelor në programet e studimit në Fakultetin e Biznesit, Menaxhment në Turizëm, Hoteleri dhe Mjedis, Fakultetin Juridik, Agrobiznes dhe Fakultetin e Arteve.
Siç njoftoi zyra e informimit e këtij universiteti, në afatin e parë të konkursit për vitin akademik 2018/2019, që ka nisur të hënën e do të vazhdojë deri më 23 korrik, do të regjistrohen 1 mijë e 927 studentë të rregullt dhe 490 studentë me korrespondencë.
Nga numri i përgjithshëm i studentëve të paraparë për regjistrim, Universiteti ka planifikuar të regjistrojë deri në 2 për qind studentë të rregullt që i takojnë familjarëve të ngushtë të dëshmorëve.
“Studentët e kësaj kategorie do të shpërndahen në mënyrë proporcionale sipas përqindjes së numrit të përgjithshëm të studentëve për secilin program të fakulteteve veç e veç. Si shtesë e numrit të përgjithshëm Universiteti do të regjistrojë deri në 12 për qind studentë të rregullt nga komuniteti joshumicë. Kuota prej 12 për qind e vendeve të rezervuara për regjistrim të studentëve nga komuniteti jo-shumicë do të shpërndahet në mënyrë proporcionale sipas përqindjes së numrit të përgjithshëm të studentëve për secilin program të fakulteteve veç e veç”, thotë Drenushe Gaxherri, zyrtare në këtë universitet për komunikim me publikun.
Sipas saj, në bazë të kuotave të përcaktuara nga MASHT-i, mund të pranohen edhe kandidatët nga Mali i Zi, Presheva, Bujanoci, Medvegja, Maqedonia dhe Shqipëria. Kandidatët të cilët kanë lindur në vendet dhe shkollimin e mesëm e kanë mbaruar në Kosovës, do t’iu nënshtrohen kushteve të njëjta për pranim si kandidatët nga Kosova.
Gaxherri tha se mbi bazë të konsideratave humane, Universiteti “Haxhi Zeka” në Pejë rezervon të drejtën e pranimit edhe të kandidatëve me nevoja të veçanta.