Kolegji Universum, në bashkorganizim me shoqatën “Miqtë e Amerikës”, kanë shënuar 70-vjetorin jubilar të ditëlindjes të ish-presidentit të ShBA-së, Bill Clinton, i cili u cilësua si njeriu më meritor për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës,
Kryetari i Këshillit Drejtues të Kolegjit “Universum”, Suat Berisha, tha se të gjithë shqiptarët kanë obligim që ta shprehin mirënjohjen ndaj presidentit Clinton, i cili bëri shumë për çlirimin e Kosovës.
“Në momentet më dramatike për popullin shqiptar, sidomos këtu në Kosovë, ai bëri veprën humane për të kthyer shpresën e popullit shqiptar në Kosovë dhe për arritjen e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës”, tha Berisha.
Në emër të Kolegjit “Universum”, ai ia dorëzoi kryetarit të Shoqatës “Miqtë e Amerikës”, Agim Rexhepi, një mirënjohje për presidentin Clinton.
Rexhepi mori përsipër se në udhëtimin e parë të tij drejt Amerikës, do ta dorëzojë mirënjohjen në zyrën e fondacionit “Bill Clinton” në New York.
Me këtë rast, për studentë dhe të pranishmit e tjerë u shfaq një dokumentar me momente nga vendimi i Clintonit për bombardimin e Jugosllavisë së atëhershme; nga vizita e tij në Kosovë pas çlirimit etj.