Gjykata Themelore e Prishtinë përmes një aktgjykimi ka kërkuar nga Agjencia Kosovare e Akreditimin që të anulojë një vendim të vitit 2014 që ka të bëjë me refuzimin për akreditim të disa programeve të Kolegjit ‘Universum’.
Kolegji ‘Universum’ më 22 shtator të vitit 2014 e kishte paditur Agjencia e Akreditimit në kuadër të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë. Ndërsa, Këshilli Shtetëror i Cilësisë është organ vendimmarrës brenda Agjencia Kosovare e Akreditimit për akreditimin apo mosakreditimin e universiteteve publike dhe private.
Në aktgjykimin e siguruar nga ‘Gazeta Jeta në Kosovë’, Kolegji “Universum“ në padi kishte pretenduar se ‘edhe përkundër të gjitha përgatitjeve programore, teknike dhe kadrovike për akreditimin e programeve të reja dhe degëve në Prizren dhe Gjakovë me programe ekzistuese të akredituara, e paditura nuk i ka akredituar programet e reja: Gjuhë Angleze BA dhe Qeverisje MA, si dhe degën në Gjakovë”.
Më datën 14 gusht të vitit 2018, gjykata shpalli aktgjykimin që e konsideron të bazuar padinë e ‘Universum’ lidhur me vendimin për mosakreditim të programeve dhe vendimin për refuzimin e ankesës së kolegjit për vendimin e parë.
Arsyetimet e dhëna nga Agjencia e Akreditimit nuk e kanë bindur gjykatën. E paditura në këtë rast në përgjigjen e saj kishte mohuar padinë duke thënë se KSHC “ ka ardhur në përfundim se paditësi nuk ka kapacitete të mjaftueshme për hapjen e dy degëve në të njëjtën kohë sepse nga dyzetë e shtatë persona të deklaruar staf akademik, vetëm gjashtë prej tyre kishin gradën shkencore Dr.sc”.
Në aktgjykim thuhet se “e paditura ka konstatuar se paditësja( Universum) ka vepruar ilegalisht në degën në Prizren, pa aprovim nga e paditura dhe pa licensë nga MAShT”.
Në kohën e marrjes së këtyre vendimeve, në krye të Agjencisë Kosovare të Akreditimit ishte Basri Muja, ndërsa Kryetari e Këshillit Shtetëror të Cilësisë ishte Ferdije Zhushi.
Çfarë pritet të ndodhë me këtë vendim?
Që nga koha e vendimeve për të cilat është zhvilluar gjykimi i lartpërmendur, brenda Agjencisë Kosovare të Akreditimit pati ndërrime të shumta të menaxhmentit.
Emrat e nëntë anëtarëve të rinj të Këshillit Shtetëror të Cilësisë u ratifikuan në Kuvendin e Kosovës më 17 prill të këtij viti.
Anëtarët e saj janë: Prof. Dr. Gazmend Luboteni, Prof. Ass. Dr. Vjollca Krasniqi, Prof. Ass. Dr. Arta Jakupi, Dr.Sc. Spec. Rozafa Koliqi-Lila Prof. Dr. Magdalena Ziolo, Prof. Dr. Herbert K. Amato, Prof. Dr. Xhavit Rexha, Prof. Msc. Jeffery Butel dhe Prof. Ass. Dr. Dukagjin Zeka
Këtij këshilli tani i ka rënë të merret edhe me aktgjykimin në fjalë.
Gazmend Luboteni, Kryetar i KSHC-së, në një përgjigje për Gazetën Jeta në Kosovë, nuk tregoi nëse ndaj këtij aktgjykimi do të ketë ankesë në gjykatën e apelit.
Ai tha se ky aktgjykim do të diskutohet në mbledhjen e ardhshme të KSHC-së.
“AKA ka pranuar aktgjykimin në fjalë, dhe pas konsultimeve qe kemi pasur me zyrtarët e Avokaturës Shtetërore, kemi ardhur në përfundim që kjo çështje të trajtohet në mbledhjen e ardhshme të KSHC-së, sipas rekomandimeve të dhëna në këtë aktgjykim”, tha Luboteni.
Ndërkaq, Drejtori i Kolegjit Universum, Alejtin Berisha tha se aktgjykimet pozitive për këtë kolegj “tregojnë qartë se vendimet e menaxhmentit të kaluar… kanë qenë të paligjshme dhe të qëllimta, për të dëmtuar Kolegjin ‘Universum’.
Ministri i Arsimit Shyqiri Bytyqi në shtator të vitit që shkoi shkarkoi anëtarët e Këshillit Shtetëror të Cilësisë.
Ky shkarkim ndikoi që Agjencia e Kosovës për Akreditim të përjashtohet nga Regjistri Europian i Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë (EQAR).
Në vitin 2015, Prokuroria Speciale e Kosovës ngriti aktakuzë ndaj Ferdije Zhushit, Basri Mujës dhe disa të tjerëve nën dyshimet për shpërdorim detyre dhe marrje e dhënie ryshfeti.