UPz nënshkruan marrëveshje me Programin “Kërko Drejtësi”

Prizren | 09 Mar 2017 | 19:04 | Nga

Në Universitetin “Ukshin Hoti” në Prizren, të enjten është nënshkruar marrëveshja e bashkëpunimit në mes të UPZ-së dhe Programit Kërko Drejtësi të NCSC (Qendra Kombëtare për Gjykata Shtetërore – Departamenti i Shtetit të SHBA-së). Marrëveshja përkatëse është nënshkruar nga Rektori i UPZ-së, Prof. Dr. Ramë Vataj dhe John Furnari, shef i Programit “Kërko Drejtësi”.

Në bazë të marrëveshjes, në UPZ do të fillojë punën Klinika Penale Juridike me raste reale, me ç’rast studentët më të mirë të Fakultetit Juridik do të kenë mundësi që të aplikojnë njohuritë e tyre teorike në praktikë.

Rektori Vataj me këtë rast shprehu kënaqësi që është arritur kjo marrëveshje e rëndësisë së veçantë për studentët e UPZ-së. Ai theksoi se nga ana e UPZ-së do të bëhet gjithçka që është e mundur që projekti të realizohet me sukses.

Vataj e falënderoi Furnarin për kontributin e dhënë që ky projekt të mundësohet në bashkëpunim me Fakultetin Juridik. Në veçanti ai e falënderoi qeverinë dhe popullin amerikan për mbështetjen financiare dhënë për jetësimin e Programit “Kërko Drejtësi”, nga i cili përfitues do të jenë dhe studentët e Fakultetit Juridik.

Nga ana e tij, John Furnari, shef i Programit “Kërko Drejtësi”, theksoi se edhe ata janë të kënaqur që kanë rastin që të bashkëpunojnë me Universitetin “Ukshin Hoti” në kuadër të Programit.

Ai theksoi se Klinika Juridike Penale (Klinika) u jep studentëve mundësi të ndihmojnë avokatët e OAK-së në përfaqësimin pro bono në rastet penale të të pandehurve me gjendje ekonomike të rëndë.

Furnari ka shpjeguar se studentët pjesëmarrës do të kenë mundësi të përjetojnë zbatimin e mësimeve akademike në praktikë duke punuar në çështjet penale reale gjatë vitit të katërt të fakultetit juridik).

Ligjëratat e klinikës mbahen në Fakultetin Juridik të UPZ-së, ndërsa aktivitetet e përfaqësimit të klientëve (këshillimi dhe avokimi) mbahen në zyrat e avokatëve të OAK dhe, sipas nevojës, në gjykatë apo prokurori. Studentët e klinikës takohen një herë në javë për ligjëritë dhe diskutime në tryezë të rrumbullakët rreth procedurës penale. Ligjëratat mbahen nga ligjërues të ftuar të cilët janë profesionistë ligjorë (prokurorët, avokatët dhe gjyqtarët), përfaqësues të Organizatave të Shoqërisë Civile, etj.

Përveç ligjëratave, studentët punojnë në ekipe për të ndihmuar avokatët që ata të përfaqësojnë klientët në gjykatë dhe në të gjitha fazat përgatitore të çështjeve penale pro-bono. Studentët aktivë në këtë Klinikë, pritet që të ndajnë përvojën e tyre të klinikës me nxënësit e shkollave të mesme përmes aktiviteteve në kuadër të Programit “Kërko Drejtësi”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme