Koncerti i madh i organizuar në Central Park është ndërprerë për shkak të përkeqësimit të kushteve të motit në Nju Jork, si pasojë e ardhjes së Uraganit Henri në bregdetin verilindor të Shteteve të Bashkuara. Dhjetëra mijëra njerëzve që morën pjesë në ngjarje iu kërkua të largoheshin menjëherë nga parku nga dalja më e afërt.
Pak para fillimit të “We Love NYC: The Homecoming Concert”, kryebashkiaku Bill de Blasio kishte shpallur gjendjen e jashtëzakonshme, por në të njëjtën kohë dha leje për këtë ngjarje.
Stuhia tropikale Henri u forcua gjatë së shtunës, duke u shndërruar në një uragan të Kategorisë 1.
Nuk është vetëm uragani që i frikëson Shtetet e Bashkuara. Në shtetin Tennessee, përmbytjet e shkaktuara nga shirat e fortë dhe erërat kanë shkatërruar qindra shtëpi dhe kanë shkaktuar të paktën dhjetë vdekje dhe 40 të humbur. Zona më e goditur është më pak se njëqind kilometra në perëndim të Nashville. Autoritetet kanë nisur një operacion masiv për të ndihmuar popullatën.