Komuna nuk fitohet me duar në xhepa. Uran Ismaili i PDK-së e la postin e deputetit duke e ditur se nuk kishte gjasa ta fitonte Prishtinën. Pse e bëri këtë? Sepse, sakrifikoi për ngritjen e imazhit të një PDK-je të reformuar në Prishtinë. Krahas kësaj, ai sakrifikoi edhe për të pamundësuar Vetëvendosjen ta fitojë Prishtinën pa balotazh.
Dhe, mund të themi se të dy objektivat e tij i ka arritur. Sot, Uran Ismaili nuk është deputet i Kuvendit të Kosovës, por është autoreti numër një në partinë e tij. Pas kësaj sakrifice, PDK-ja nuk mund ta anashkalojë Uran Ismailin për asnjë vendim politik. Pra, ai nuk është deputet, por për nga fuqia politike e kalon edhe vetë kryetarin e partisë.
Arben Vitia nuk dha dorëheqje nga posti i ministrit të shëndetësisë deri në ditët e fundit kur po afrohej fushata. Edhe kur dha dorëheqje, pas vetes la një ushtrues detyre dhe jo një ministër që vazhdon mandatin e tij. Pra, e la mundësinë për t’u kthyer prapë në postin e minsitrit. Kjo nuk flet mirë për besimin që ai kishte ndaj fitores në Prishtinë. Pra, kandidati i PDK-së sakrifikoi që Vetëvendosje të mos e fitojë Prishtinën, kurse kandidati i Vetëvendosjes nuk sakrifikoi për fitoren e vet dhe të partisë së tij.
Me qasje vetëmohuese mbase mund të fitohej edhe Mitrovica me Armend Mujën dhe mund të fitohej edhe Gjakova me Mimoza Kusarin. Mbase, Vetëvendosje do t’i fitojë prapë Prishtinën dhe Gjakovën, por gjasat më reale do të ishin me një qasje vetëmohuese, ku kandidati e braktis një post definitivisht për ta synuar një tjetër.
Nëse ka ndodh njëherë që votat ekstra të sigurohen nga euforia, më kjo nuk do të ndodh. Votat ekstra do të fitohen nga vetëmohimi, apo sakrifica. Tani pra e dimë këtë, por mund të jetë pak vonë. Dhe, çështja nuk është të dish diçka, por të jesh i gatshëm për ta bërë atë.
Vetëdija qytetare për votën e lirë është ngritur, prandaj duhet të ngritet edhe niveli i përgjegjësisë së politikanëve që pretendojnë postet e caktuara.
Nuk mundesh me një këmbë me qenë deputet, ose ministër e me këmbën tjetër kryetar komune. Edhe t’ju them diçka sinqerisht, hiç nuk po shkon që kandidatët e partive tjera me sakrifiku postin e deputetit për të garuar për kryetar komune, kurse Vetëvendosje jo. Ne kemi besuar se Vetevendosje ka më shumë njerëz që sakrifikojnë për partinë, sesa partitë tjera. Sakrifica për partinë është investim afatgjatë jo vetëm për të ardhmen e partisë, por edhe për të ardhmen tënde.
(Autori ka qenë kandidat i Vetëvendosjes për deputet, në zgjedhjet e 14 shkurtit 2021)