Urgjentisht të shkarkohet Presidenti i Kosovës

Prishtinë | 08 Mar 2019 | 10:54 | Nga Skënder Sadri KAPITI

Pothuajse për çdo ditë politika dhe politikanë shqiptarë, por edhe të huaj, si dhe opinionistë, media, historianë, veteranë, intelektualë  dhe e gjithë shoqëria shqiptare  shprehin indinjatën dhe shqetësimin e madh të tyre  për idenë e korrigjimit të kufijve, shkëmbimin  e territoreve apo rivizatim të kufijve të Kosovës , gjë të cilat pavarësisht se si shprehen konceptualisht, ato që të tria, çojnë ne ndarjen e Kosovës. Kjo, po të realizohej dhe të mundësohej do te ishte vetëm në favor të Serbisë  e cila do të përfitonte troje shqiptare , pasi në Kosovë nuk ka asnjë pëllëmbë tokë serbe, por përkundrazi në Serbi ka troje shqiptare.

Kosova Lindore e cila është akoma nën kolonizmin serb, asaj i takon që t’i bashkohet  Kosovës pjesë e së cilës ajo është,  pasi edhe de fakto është mbajtur edhe  referendumi  i vitit 1992 nga popullsia shqiptare e saj , e  cila është  deklaruar për Bashkimin  me Kosovën , si dhe  në Kosovën Lindore për lirinë dhe të drejtat kombëtare luftoi edhe UÇPMB-ja. Kundërshtimin e idesë famëkeqe  të Thaçit, për shkëmbim territoresh, ide e cila është gatuar në Beograd, këtë “ide” e kundërshton i gjithë kombi shqiptar. Kjo sepse është e pakonceptueshme, e pajustifikueshme dhe e paimagjinueshme që të harrohen krimi dhe genocidi serb , që të harrohet genocidi, dëbimi dhe pastrimi etnik i trojeve shqiptare të Toplicës, që të harrohet e të mos i kërkohet Serbisë as kompensimi dhe as dëmshpërblimi për krimet dhe dëmet e luftës në Kosovë, dhe më keq akoma   edhe të  dakordësohesh edhe për pajtim kur serbët as nuk e pranojnë akoma një gjë të tillë dhe as falje për krimet e bëra prej tyre, si dhe të dakordësohesh edhe  me  “idenë”  serbe  për  shkëmbim të trojeve shqiptare të Kosovës Veriore  me troje shqiptare të Kosovës Lindore shqiptare, kjo do të ishte më se e pabesueshme.

Dhe kur Presidenti i Kosovës u diskreditua tërësisht dhe kur mbeti i izoluar në “idenë” e tij  antiKosovë, ai filloi të duket si  patriot i  madh  duke manipuluar me retorika patriotike , por tashmë pas ekspozimit  mediatik  dhe publik  të tradhtisë së tij,  e cila  i mbeti atij si “tradhti në tentativë”, dhe që  minimalisht dhe urgjentisht ai duhet të largohet ose të detyrohet që të largohet si President i Kosovës.

Dhe ajo e cila e” motivon” largimin e tij si President i Kosovës është edhe fakti tjetër se: shumë politikanë, diplomatë e madje edhe kryetarë shtetesh të fuqishme europiane, shtete si Gjermania  dhe Britania të cilat janë në mënyrë kategorike kundër shkëmbimit të territoreve, që do të thotë se janë kundër ndarjes së Kosovës, ku së fundmi vlen të citojmë  edhe atë se çfarë deklaroi edhe deputeti britanik, John  Grogan, i cili drejtoi debatin në  Dhomën e Përfaqësuesve të Parlamentit Britanik në lidhje me marrëdhëniet Britani e Madhe -Kosovë,  ku ai u  shpreh se:

“Janë shpenzuar para bukur të mëdha për lobim në Londër e gjetiu për këtë çështje, por jam i kënaqur që Presidenti ka ndërruar qasjen”. Pra, nëse kjo është e vërtetë atëherë problemi qenka një shqetësim shumë i madh kombëtar. Pra, Kushtetuta e Kosovës, Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, Parlamenti i Kosovës dhe të gjithë ata të cilët kundërshtojnë Presidentin Thaçi paskan plotësisht të drejtë se gjërat paskan shkuar shumë thellë kundër Kosovës. Presidenti Thaçi duhet të shkarkohet  pasi prej papërgjegjshmërisë së tij gjërat mund të precipitojnë me dëme jetike: dëme territoriale, strategjike, politike dhe ekonomike, pra dëme me pasoja fatale  të cilat do të ishin pastaj të pariparueshme. Po kështu, një tjetër politikan amerikan shumë zëshëm ka shprehur kundërshtinë e tij për Marrëveshjen antiKosovë Vuçiç –Thaçi,  ish-Zyrtari i Lartë i Departamentit të Shteti Amerikan  dhe njohës i mirë i Ballkanit , Z. Serëer, kur ai thotë se: “Për të shitur Sovranitetin Tuaj për një tas qull ose për një ceremoni në “Rose Garden “do të ishte një gabim historik dhe i pafalshëm”. Pra, duke iu referuar  edhe fjalëve të deputetit britanik Grogan dhe Serëer, por edhe të tjerëve politikanë e diplomatë perëndimorë proshqiptarë dhe proKosovë, atëhere çdo shqiptar me të drejtë pyet se kush paska lobuar shuma të mëdha parash për shkëmbim territoresh dhe për shitjen e Sovranitetit të Kosovës?! Kuptohet se lobues është shteti serb, makineria politike dhe diplomatike e tij, por edhe  Rusia. Por, nëse paska edhe shqiptarë, pushtetarë e politikanë shqiptarë të cilët  “ishin” por që edhe mbeten fshehurazi dhe që ndryshojnë “qasje” vetëm kur zbulohet dhe demaskohet publikisht dhe ndërkombëtarisht qëndrimi i tyre pro shkëmbimit të territoreve, atëherë ata shënohen si  tradhtarë, shërbëtorë  e të shitur te paraja e huaj.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme