Kryetari i Nismës SocialDemokrate, Fatmir Limaj ka uruar qytetarët e Kosovës me rastin e 10-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.
Limaj përmes një komunikate për shtyp tha se të gjithë duhet të punojnë në mënyrë që të zhvillohet ekonomika e Kosovës dhe të rritet mirëqenia e qytetarëve të saj.
Më poshtë gjeni urimin e Limajt:
Të dashur qytetarë të Republikës së Kosovës, sot, bëhen 10 vjet nga shpallja e Pavarësie së Kosovës. Pavarësia e vendit është arritur më shumë mund e sakrifica.
Ne, sot kujtojmë mundin e sakrificën e njerëzve të këtij vendi, të cilët me dekada e shekuj janë përpjekur për të realizuar këtë ëndërr, e cila vjen si rezultat i kontributit shekullor të shumë gjeneratave.
Gjenerata jonë jemi me fat që jemi dëshmitarë të një akti të madh siç është shpallja e pavarësisë. Pjesë e shënimit të atij momenti historik ka qenë secili qytetar i vendit.
Me shekuj është punuar për të ardhur deri te çlirimi dhe se procesi i ndërtimit të shtetit nuk përfundon me një dekadë. Në këto 10 vjet shtet kemi arritur suksese të mëdha, por kjo nuk është e mjaftueshme.
Ne të gjithë bashkë duhet të punojmë fort që ta forcojmë vendin tonë, ta zhvillojmë ekonominë e vendit dhe ta rrisim mirëqenien e qytetarëve tanë. Kosova është e shenjtë.
Lavdi dëshmorëve të Kombit! Urime viti jubilar i Pavarësisë së Kosovës!
FL