Usain Bolt mund të vijojë karrierën si futbollist në Evropë.
Së fundmi, mësohet se një klub nga Malta ka shfaqur interes për të pasur në radhët e tij rekordmenin botëror, që tashmë është tërhequr nga garat e atletikës. Sprintieri 32-vjeçar është në një periudhë prove te skuadra e Central Coast Mariners në kampionatin australian të futbollit, duke bërë realitet ëndrrën e tij të fëmijërisë, përcjell TCH.
Mësohet se klubi që ka shfaqur interesin për Bolt është pikërsisht Valeta, skuadër nga Malta, e cila, mesa duket, e ka bërë tashmë një ofertë formale për Usain Bolt. Shefi Ekzekutiv i klubit, Ghasston Slimen, në një intervistë për median australiane, tha se me këtë lëvizje FC Valleta do të shkruajë historinë dhe pse jo, të shohë Boltin të ngrejë edhe trofeun e Kupës së Maltës, finalja e së cilës do të luhet në 13 dhjetor.
Ndërkaq, agjenti australian i Boltit as pohoi e as mohoi historinë e kalimit të mundshëm të ish-atletit në kampionatin maltez.
Vlen të theksohet se Usain Bolt nuk ka nënshkruar ende ndonjë kontratë me Mariners, ndërkohë që do të stërvitet me këtë skuadër për një afat të pacaktuar kohe. Javën e kaluar Bolt shënoi edhe dy golat e tij të parë si futbollist në një ndeshje miqësore parasezonale të Mariners.