Në Universitetin e Shkencave të Aplikuara në Ferizaj (UShAF), u hap Panairi i Dytë i Punës, ku të pranishëm ishin përfaqësues të institucioneve publike të Kosovës, GIZ-i gjerman, si dhe përfaqësues të bizneseve bashkëpunuese nga vendi.
Në Panair 50 kompani pjesëmarrëse ofruan 150 vende të punës, me ç’rast do të përfitojnë punësim një numër i konsiderueshëm i studentëve të UShAF. Kontrata e parë në këtë Panair u nënshkrua në mes të kompanisë “ANB Baliu” dhe Endrit Tashollit, student i Arkitekturës së Interierit dhe Dizajnit të Mobileve.
Hapjen solemne të Panairit e bëri rektori i UShAF, Agron Bajraktari, i cili falënderoi të pranishmit për pjesëmarrje në këtë ngjarje të rëndësishme për institucionin tonë.
“Sot është një ditë shumë e rëndësishme për Universitetin tonë, po hapim Panairin e Dytë të Punës. I gëzohemi faktit që tashmë ky Panair ka kaluar në traditë dhe jemi shumë të lumtur që numri i kompanive të interesuara për të marr pjesë është dhjetëfishuar në krahasim me vitet e kaluara. Ditëve të fundit kemi pas një intensitet të madh të kompanive, të cilat kanë shprehur dëshirën që të jenë pjesëmarrëse të panairit tonë. Sigurisht, pa përkrahjen e GIZ-it gjerman dhe pa mbështetjen e kompanive, ky Panair nuk do të kishte kuptim. Falënderim të veçant iu bëjë kompanive për durimin dhe gatishmërinë që të ndihmojnë studentët tanë të cilët edhe pse pa përvojë u hapën dyert që të realizojnë punën praktike. Falënderoj edhe Parlamentet Studentore të cilat ishin që nga themelimi i Universitetit, e në veçanti Parlamentin Studentor aktual që kurr nuk u ndalën duke shprehur interesat dhe kërkesat e studentëve tek ne, gjë që na dha motiv që ne të mos ndalemi asnjëherë që të krijojmë kushte për profesionalizmin e tyre. Synimi jonë është që 50 përqind të kohës studentët t’i kalojnë nëpër kompani dhe këtë dita-ditës po e arrijmë. Ne kemi shumë rrugë për të bërë së bashku me studentët, kompanitë, dhe stafin akademik e administrative dhe së bashku jemi të bindur që do t’i arrijmë majat më të larta të suksesit”, tha Rektori.
Ndërsa, Rrahim Trepca nga Giz-i gjerman shprehi kënaqësinë që për të dytën herë me radhë po marrin pjesë në Panairin e Dytë të Punës, i cili është tashmë tradicional. Ai tha se Panairet e punës janë një prej platformave më të mira që mund të iu ofrohen studentëve për t’i takuar punëdhënësit e tyre potencial.
Afrim Llabjani, Drejtor i Arsimit në Komunën e Ferizajt, në emër të kryetarit të komunës së Ferizajt, z. Agim Aliu, përshëndeti të pranishmit dhe uroj për hapjen e Panairit. Ai tha se e ardhmja e një shteti mvaret prej shkathtësive të popullit të tij, sidomos prej rinisë, andaj ne jemi angazhuar vazhdimisht dhe zotohemi të vazhdojmë këtë angazhim për të krijuar kushte të nevojshme për nxënësit dhe studentët tanë.
Në emër të Bordit Industrial, foli Bujar Baliu, i cili falënderoi rektorin për të gjithë angazhimin që po bënë dhe që po i mbështet gjithmonë sikurse bizneseve ashtu edhe studentëve. Ai tha se sot në këtë ditë u kemi hapur dyert studentëve për të konkuruar në punë.