Marrëveshje Bashkëpunimi mes UShAF dhe Universitetit “Goce Dellçev” të Maqedonisë

Prishtinë | 12 Pri 2018 | 14:32 | Nga

Rektori i Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Ferizaj (UShAF), Agron Bajraktari dhe rektori i Universitetit “Goce Dellçev” (UGD) në Shtip të Maqedonisë, Blazo Boev, hynë në Marrëveshje Bashkëpunimi në fushën e arsimit të lartë dhe shkencës.

Marrëveshja shënon një fillim të mbarë për të dyja institucionet, duke mundësuar shkëmbimin e studentëve, stafit akademik dhe administrativ, si dhe shkëmbimin e materialeve akademike e shkencore.

Bajraktari u shpreh krenar që UShAF do të bashkëpunoj me një Universitet të famshëm, jo vetëm në Maqedoni por edhe në rajon.

“UShAF është Universitet Publik i vetmi i Shkencave të Aplikuara në Ferizaj, i cili për 39 vite ka funksionuar në kuadër të Universitetit të Prishtinës dhe tani kemi dy vite e gjysmë që jemi të pavarur, të fokusuar në inxhinierinë mekanike, teknologjinë e drurit dhe turizëm. E veçanta e universitetit tonë, e që na dallon nga universitetet tjera është se jemi të lidhur ngushtë me industrinë dhe gjithmonë jemi në shërbim të tyre, duke iu përshtatur kërkesave të tregut”, tha Bajraktari.

Po ashtu, rektori Bajraktari theksoi rëndësinë e kësaj Marrëveshje, sepse sipas tij të dyja institucionet do të mund të aplikojnë në projektet e Erasmus+, duke përfshirë mobilitetin e studentëve dhe stafit, e cila do të mundësojë krijimin e një afërsie në mes të dy kombeve.

Ndërsa, rektori i UGD,  Blazo Boev, falënderoi  Bajraktarin dhe tha se afërsia gjeografike me shtetin e Kosovës dhe me Universitetin në përgjithësi mundësojnë bashkëpunim të mirëfilltë.

Të ngjashme