Vaj vaji për Kosovën

Prishtinë | 19 Gus 2023 | 12:39 | Nga Arben Fetoshi

Veprimet e prokurorisë lidhur me Aferën “Vaji”, pavarësisht se si vazhdojnë, bartin një lajm të rëndësishëm: vlerën demokratike të medieve si mbikëqyrës të pushtetit (watchdog) dhe rolin jetik të gazetarëve, me gjithë mjedisin kaotik që ka shkaktuar teknologjia digjitale. Hallall i qoftë Beratit!

Reagimet e pushtetit kundër medieve, opozitës dhe sistemit të drejtësisë, përveç në shpërputhje me atë që kishin premtuar, janë edhe goditje e frikshme për parimet e etabluara të demokracisë.

Pas legjislativit pothuajse njëpartiak, vetëm gjyqësori po i pengon “reformat popullore”, prandaj duhen kryqëzuar prokurorët. Si duket kanë harruar se vetë i kanë rritur pritjet e qytetarëve (premtimet për qeverisje ndryshe) dhe tani pikërisht kjo po iu pengon. Habiten pse gazetarët pyesin për dorëheqje, apo pse opozita po provon t’i përdorë këto afera.
Korrupsioni “brina” s’ka e as nuk matet n’kandar.

Për shkak të aferave e të punës së gazetarëve, sovrani ua tregoi vendin partive që kanë qeverisur në të kaluarën. Mirëpo tani, sikur gjithçka po ndodh për inat, të gjitha janë montuar, ani pse Rozeta e konfirmoj vetë se rezervat s’kanë ardhur.

A s’është kjo njëjtë apo më keq se në kohën e “elitës së vjetër”, siç po e quan Kryeministri? Qeveria e bindur në pafajësinë e të arrestuarve, duke na kujtuar “prezumimin e pafajësisë”.

Një garë absurde pushtet – opozitë se kush është më pak i korruptuar, përkthehet si gjendje e pashpresë për një qeverisje pa korrupsion (të gjithë njësoj).

Nëse “elita e vjetër” qenka mirë e organizuar dhe arsyet e saj (opozita bashkë me prokurorët dhe mediet e saj) janë shumë milionëshe, siç thotë Kryeministri, atëherë çfarë kuptimi ka fitorja historike e zgjedhjeve kur s’arrin ta shpartallosh krimin as në vitin e tretë të mandatit?

A janë video mesazhet shfajësim për dështimet, apo shtrati i Prokrustit për pushtetet penguese?

Cilado që të jetë, opozita s’po i përgjigjet dot realitetit. Fërkon duart për theqafjen potenciale të Kurtit, por pa i përfillur arsyet e ndëshkimit nga votuesit. Një relacion që dikton vetëm zgjedhje inatçore nga qytetarët: ose pushtetin aktual, që korrupsionin e mat duke e krahasuar me të kaluarën, ose qeverisjet e mëparshme, që korrupsionin e relativizojnë si “mëkat” të përbashkët.

Ndërkohë, në betejën tragji-komike të pushtetit me opozitën në Prishtinë, Serbia vazhdon lojën morbide me sovranitetin e Kosovës në veri. Qeveria ka ngecur në rrethin vicioz të policëve, policisë dhe policimit, e nuk po don me pranu se problemi i veriut (i trashëguar nga përfundimi i luftës) zgjidhet vetëm në Bruksel. Ose më troç: beteja për veriun fitohet në Beograd. Nëse s’do ta kishim këtë problem, athua si do të ishte dialogu tashmë i përçudnuar me Serbinë?

Disa serbë rekrutohen në polici dhe ne e konsiderojmë lajm të rëndësishëm për Kosovën, pastaj të njëjtit dorëhiqen, ne shfryjmë ndaj Radojçiqit e Vuçiqit.

Jemi bërë gaz i botës. Radojçiqi luan me shtetin, ndërsa shteti “luan” me Europën e Amerikën. “Fjalët e forta e punët qysh t’vijnë”, thotë populli.

Në vend që të bëhemi serioz, e t’i shfrytëzojmë garancitë ndërkombëtare për asociacionin pa kompetenca ekzekutive, ne vazhdojmë me qasjen e të fortit, insistojmë në peticion e kënaqemi me sovranitet simbolik. E nisim me fjalë të forta e pastaj i bijmë pishman dhe bilanci në fund – kohë e humbur.
Ne shkojmë në plazh për pak rreze dielli, por harrojmë që është gusht edhe për BE-në e bëjmë seri qysh s’po na i heqin sanksionet, apo masat ndëshkuese, meqë na duken më të buta.

Mund të vazhdojmë me fjalë të forta e të shtyhemi se kush është më pak i korruptuar, por humbja e kohës veç shkon t’u e trashë zullumin: vazhdon me e rritë dëshpërimin e qytetarëve, por tani edhe të aleatëve.

Të ngjashme