Një çift të moshuarish në Gjermani ka rënë pre e një mashtrimi përmes një telefonate shokuese, duke humbur monedha ari dhe argjendi në vlerë prej rreth 20 mijë eurosh.
Mashtruesit u paraqitën si pjesëtarë të Policisë Kriminale të Bavarisë dhe u thanë të moshuarve se vajza e tyre kishte shkaktuar një aksident trafiku me fatalitet.
Ata pretenduan se vajza mund të shpëtonte nga arrestimi vetëm nëse paguhej një shumë parash ose dorëzoheshin sende me vlerë, shkruajnë mediat gjermane.
Ndërsa burrin e dërguan drejt Bambergut, me pretekstin se atje do të mund ta merrte vajzën nga paraburgimi, në shtëpi shkoi një person i maskuar si polic.
Gruaja ia dorëzoi atij monedhat e arit dhe argjendit. Vetëm më vonë çifti kuptoi se e gjithë historia ishte e sajuar.
Policia gjermane ka paralajmëruar qytetarët për këtë skemë mashtrimi, duke theksuar se policia e vërtetë nuk kërkon kaucion, para apo sende me vlerë përmes telefonit.