Një vajzë e re nga Arabia Saudite e cila është larguar nga shteti për shkak të frikës nga familja e vet e ka mbyllur vetën në një dhomë të hotelit në aeroportin e Bangkokut në Tajlandë. Zyrtarët tajlandezë po përpiqen ta kthejnë atë në Kuvajt, ku ndodhet edhe familja e saj.
Ajo refuzoi të udhëtonte me aeroplan drejt Kuvajtit, pavarësisht se zyrtarët po e prisnin te dhoma e hotelit. “Zyrtarët e ambasadës saudite dhe familja do të jenë duke më pritur në Kuvajt. Ata do të më vrasin. Jeta ime është në rrezik. Familja ime më ka kërcënuar me vdekje për gjërat më të vogla”, ka thënë Rahaf al-Qunun.
Grupet për të drejtat e njeriut, përfshirë organizatën “Human Rights Watch”, kanë shprehur shqetësim të thellë për mirëqenien e saj. “Ajo është mbyllur në dhomë dhe thotë se nuk do të dalë deri të takohet me zyrtarët për refugjatë të Kombeve të Bashkuara dhe të kërkojë azil”, ka thënë Phil Robertson, zëvendësdrejtor i organizatës “Human Rights Watch” për Azi.
Ai ka njoftuar se avokatët tajlandezë kanë bërë kërkesë për gjykatat që ta parandalojnë deportimin e vajzës në Kuvajt. Vajza ishte duke qëndruar në Kuvajt për pushime me familjen e saj, ndërsa thotë se nuk ka për qëllim të qëndrojë në Tajlandë sepse ka vizë për të shkuar në Australi. Besohet se zyrtarët tajlandezë janë duke bashkëpunuar ngushtë me zyrtarët sauditë dhe ekziston frika se vajza do të deportohet, shkruan “BBC”, transmeton Gazeta Express.