Vajzat dhe gratë në Prizren paralajmërojnë protestë kundër ngacmimeve seksuale

Prishtinë | 20 Kor 2018 | 09:41 | Nga

Komuniteti i vajzave dhe i grave të Prizrenit ka shprehur shqetësimin se rastet e ngacmimeve seksuale në hapësira publike po shtohen. Ato kanë paralajmëruar protesta kundër kësaj dukurie.

Sipas aktivisteve nga grupi joformal i vajzave dhe grave “FEMaktiv” rasti i fundit i tentativës së përdhunimit të një gruaje ka ndodhur në rrugën e “Marashit” në Prizren. Ky rast sipas aktivisteve është tejet shqetësues, “veçanërisht marrë parasysh heshtjen institucionale ndaj këtij rasti”. Për këtë arsye, ato kanë paralajmëruar një protestë, që do të mbahet të dielën, për ta shprehur kundërshtimin ndaj kësaj dukurie dhe kërkesën që institucionet përgjegjëse t’i marrin masat e duhura për t’i parandaluar rastet e kësaj natyre.

Ndërkohë zyrtarët e Policisë Rajonale të Prizrenit kanë pohuar se te organet e rendit është raportuar vetëm një rast i kësaj natyre nga shtetas të huaj.

“FEMaktiv” ka theksuar se në bazë të një raporti rreth sigurisë së grave në hapësirat publike në Prizren, del se 70% e grave nuk ndihen të sigurta në hapësira publike, ndërsa 76% prej tyre janë ngacmuar gjatë shfrytëzimit të këtyre hapësirave.

Nga ana tjetër, zëdhënësi i Policisë Rajonale të Prizrenit, Hazir Berisha, ka pohuar se një shqetësim në këtë drejtim është vërejtur prej mjeteve të informimit më herët.

Të ngjashme