Rinesa Osmani nga klubi i karatesë “Fushë Kosova”, këtë fundjavë është shpallur nënkampione në kategorinë junior deri në 59-të kilogramë, në Ligën Botërore të Rinjëve në Stamboll të Turqisë.
16-të vjeçarja zhvilloi pesë duele, duke arritur katër fitore ndaj garuesve nga Turqia, Kroacia dhe Polonia, ndërsa në finale pësoi nga zvicerania, Lea Bosshard.
Anëtarja e tjetër e klubit të karatesë “Fushë Kosova”, Valëza Gashi, përfundoi në pozitën e pestë në kategorinë e saj kadet +54 kilogramë.
Ndërsa tek konkurrenca e meshkujve, u siguruan dy medalje. Ensar Zejnullahu nga klubi “Ardhmëria” në Prishtinë, fitoi medalje argjendi tek kategoria e kadetëve të rinj mbi 55 kilogramë.
Ndërsa të bronztën, e siguroi Rigon Baruti nga klubi “Mitrovica” në kategorinë e juniorëve deri në 68-të kilogramë.
Kosova në këtë garë mori pjesë me 40-të garues nga 799-të karateistë nga gjithë bota, të udhëhequr nga dy përzgjedhësit Ylber Syla dhe Leutrim Pepaj dhe krahas tyre u përfaqësua edhe nga dy gjyqtarët, Ardian Muhadri dhe Astrit Ndrecaj.