Dje, u bënë votimet për pushtetin lokal në Kosovë. Një gjë e tillë ndodhi edhe në Drenicë. Në Drenas një grup interesi iu kundërvu Ramiz Lladrovcit, vëllait të dy heronjve Fehmi e Xhevë Llladrovci, kurse në Skendersaj, “dega” e PDK-së, iu kundërvu pjesëtarit të familjes emblematike Jashari, Bekim Jasharit, i cili edhe këtë herë garoi si kandidat i pavarur. Që të dyja këto familje çdo ditë bijnë dhe zgjohen nga shtrati me të njëjtat dhembje, me të njëjtat plagë shpirtërore, duke mos pasur asnjë çast rehati shpirtërore, madje as që munden ta ndjejnë aromën e kësaj lirie, të cilën e keqpërdorën dhe vazhdojnë ta keqpërdorin matrapazë të shtersave e ngjyrave të ndryshme partiake, që e sollën vendin buzë falimentimit, për shkak të keqmenagjimeve dhe abuzimeve me buxhetin e vendit, që ishte në shënjestër, që nga paslufta dhe pas pavarësisë së vendit.
Mirëpo, pos buxhetit, këtë periudhë, duket se në shënjestër janë edhe familjet emblematike, që dhanë gjithçka për vendin-jetët e tyre. Një kundërvënie e tillë iu bë në Drenas familjes Lladrovci e Kiçinia, kurse në Skënderaj familjes emblematike Jashari të cilat, dje, dhanë më të dashurit e tyre. Me një fjalë këtyre familjeve, dje,iu takoi të sakrifikohen dhe ta ndryshojnë historinë e vendit, kurse sot nuk iu takueka të udhëheqin me një komunë, nga ata që e volën dhe po vazhdojnë ta vjelin vendin si me qenë bahçja e babës. Për të qenë edhe më keq, kur “mundet” me vota Bekim Jashari, në Skëndersaj, kërcet edhe revolja, dhe hedhen vallet e turpit për “triumfin” ndaj një djali i cili u përpoq të notojë mbi vuajtjet dhe dhembjet e familjes, në përpjekje për t’i shijuar frytet e lirisë, me mbi 50 plagë që rëndojnë mbi qenien dhe shpirtin e Jasharëve. Nëse, një mënyrë do t’i “arsyetonim” kastën që e volën vendin, se ata tashmë e kanë humbur arsyen dhe nuk njohin gjë përpos parasë, nuk mund të arsyetohet në asnjë mënyrë ajo masë e cila doli në shesh dhe pa fije turpi “kremtoi” fitorën e turpit pa u skuqur fare as nga shtatorja e komandantit legjendar Adem Jashari, që krenar qendron në sheshin e Skenderajt.
Është e çudutshme, prandaj, ku e gjetën gjithë atë forcë ata njerëz për të “kremtuar” për “trumfin” ndaj një pjesëtari të familjes Jashari, dhe a ishin ata gjatë luftës në Drenicë dhe a panë se çka ka ndodhur në këtë vend, por edhe në Prekaz, dhe kush në këtë fshat më parë pranoi të sakrifikohet e të qendrojë, sesa të largohet nga vendi. Është koinçidencë, por edhe realitet se kur u likuidua familja Jashari, në Beograd u ngrit dolli, kurse nëpër fshatrat serbe kur u enden trupatat e të rënëve të familjes Jashari, u shti me armë, u pi raki dhe u duartrokitën njësitet kriminale vrastare nga serbët lokal, që po i bartin trupat e Jasharëve!!!
Pos kësaj, a do të kenë fytyrë, ata , që mbrëmë kërcyen në shesh, që nesër, në përvjetorët e Jasharëve të shkojnë në Prekaz të varrezat dhe të përulen para të rënëve në kompleks.
Populli thotë: “Marrja nuk pallë”!
Dhe unë si vrojtues e kronist i ngjarjeve të 30 dhjetorit të vitit 1991, 22 janarit, të marsit të vitit 1998, u ndjeva shumë i fyer nga ajo skenë e shoqëroruar me vallet e turpit. Besoj se kësaj here u skuq edhe mbarë Drenica e cila mbi supe vazhdon t’i bartë plagët e rënda të lirisë, siç i bartin edhe familjet e dëshmorëve të cilat pos që u nepërkëmben tash kanë nisur edhe të përndiqen e nënçmohen. E përjetuam edhe këtë.