Valon Behrami, lojtari i klubit italian, Genoa ka folur për trajnerin e Kombëtares së Kosovës, Bernard Challandesin.
Gjatë intervistës së mbrëmshme për IndeksOnline, Valon Behrami dha kritika për trajnerin e ‘Dardanëve’.
Ai thotë se Challandes nuk është i mirë taktikisht, edhe pse e vlerëson shumë nga ana njerëzore.
“Është shumë njeri i mirë. Por me fol për teknikë, nuk besoj që ai mundet me ngritë nivelin. Ai teknikisht nuk i din shumë sene, shumë sene nuk i njeh, shumë sene nuk i studion. Është motivues i madh, të jep energji, shpirtë. Por sot taktikisht e teknikisht duhet me qenë i përgatitur. E ka edhe shkollën e Zvicrës, dhe ata mendojnë që i dijnë krejt dhe tjerët nuk dijnë asgjë”, ka thënë Behrami.
Ai tha se se Kosova duhet të gjejë një trajner më të mirë për të përmirësuar lojën dhe të arrijnë suksese në të ardhmen
“Për me ngrit diçka ma shumë, duhet me gjetë një trajner që e din mentalitetin tonë dhe di ta ngris nivelin taktik. Skuadra është shumë instiktive kur shkon përpara, por kur e humb topin duhet me ditë çfarë pozite me marr. Unë në ato ndeshje që i kam përcjellë i kam pa disa probleme”, vazhdoi tutje ish-lojtari i West Hamit.
Kujtojmë që Bernard Challandes do të jetë trajner i Kosovës edhe për ndeshjet parakualifikuese të Kampionatit Botëror ‘Katari 2022’ dhe pastaj do të rishikohet pozicioni i tij i trajnerit te ‘Dardanët’.