Challandes: Kemi përballë ekipin më të mirë në botë, mundësi për të treguar progresin tonë

Prishtinë | 30 Mar 2021 | 17:42 | Nga Ekonomia Online

Seleksionuesi i Kosovës, Bernard Challandes, vlerësoi se është nder të luhet kundër Spanjës.

Ai në konferencën e mbajtur të martën, një ditë para ndeshjes eliminatore kundër Spanjës në Sevilla, tha se përballë Kosovës do të jetë ekipi më i mirë në botë.

Kjo është ndeshja e dytë eliminatore për Botërorin “Katari 2022” për Kosovën.

“Pas humbjes nga Suedia nuk është e lehtë të vijmë këtu në Spanjë dhe të përgatitemi për këtë ndeshje. Por, është nder dhe kënaqësi të luajmë kundër ekipit më të mirë në botë. Jemi munduar të përgatitemi sa më mirë dhe jemi të gatshëm”, tha Challandes.

Me gjithë humbjen e thellë ndaj Suedisë ditë më parë në Prishtinë (0:3), Challandes vlerëson se kundër Spanjës është mundësi të tregohet puna e mirë që është bërë në ekipin “dardan”.

“Unë menaxhoj një ekip të mirë, ekip më lojtarë shumë të motivuar. Jemi shtet i ri i futbollit dhe duhet të përparojmë, duhet të marrim çdo ndeshje një nga një. Në veçanti ndeshja kundër Spanjës është mundësi për ta treguar progresin e ekipit që është bërë në mënyrë konstante dhe gjatë kësaj periudhe”, ka thënë ai.

Ndërkohë, mesfushori Hekuran Kryeziu, ka thënë se ai dhe të tjerët që do të luajnë do të mundohen të japin më të mirën kundër spanjollëve.

“Ka qenë një ndeshje e vështirë me Suedinë, ne e kemi analizuar atë ndeshje dhe jemi të gatshëm për Spanjën. Është kënaqësi të luajmë kundër Spanjës dhe mendoj se jemi të gatshëm dhe të fokusuar të përballemi me ekipin më të mirë në botë. Do të mundohemi të japim më të mirën nga kjo ndeshje”, ka thënë Kryeziu.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme