Varianti i ri i Coronavirusit ka qarkulluar në Gjermani që nga nëntori

Prishtinë | 29 Dhj 2020 | 18:42 | Nga Ekonomia Online

Varianti i ri i koronavirusit, i cili ka mbërthyer Britaninë e Madhe, ka qenë duke qarkulluar në Gjermani qysh nga nëntori, kanë paralajmëruar të martën zyrtarët shëndetësorë, pasi të kenë detektuar këtë formë të virusit tek një pacient që ka vdekur në veri të vendi.

“Hulumtuesit ishin në gjendje që të nxjerrin sekuencën e variantit të virusit B117 tek një person i infektuar gjatë nëntorit të këtij viti”, ka thënë ministri i Shëndetësisë në Saksoninë e Ulët, në një deklaratë që i referohet variantit të ri.

Ky është i njëjti variant që “është përgjegjës për infektimet më të shumta të detektuara në jug të Anglisë”, ka shtuar ai. Varianti i ri ishte gjetur tek një pacient i moshuar me sëmundje shoqëruese, i cili që atëherë ka vdekur. Bashkëshortja e tij ishte infektuar gjithashtu por kishte mbijetuar. Çifti ishte prekur nga virusi, pasi e bija e tyre ishte kthyer nga një udhëtim në Britani në mes të nëntorit, ku ajo “sipas të gjitha gjasave” ishte infektuar me formën e re.

Ekipet e shkollës së mjekësisë në Hannover kanë arritur që ta identifikojnë variantin e ri nga sekuenca e gjenomit të tij. Rezultatet janë konfirmuar nga një ekip i spitalit “Charite” në Berlin, i cili ka përfshirë edhe virologun kryesor gjerman, Christian Drosten. Gjermania më herët ka raportuar vetëm për një rast të infektimit me variantin e ri, tek një grua që kishte fluturuar të enjten e shkuar nga Londra.

Britania e Madhe ka ndezur alarmin në fillim të këtij viti rreth këtij varianti, për të cilin autoritetet kanë thënë se është jashtëzakonisht më bartës. Shqetësimet lidhur me këtë variant kanë shtrënguar shumë shtete që të pezullojnë udhëtimet në dhe nga Britania. Dhe që atëherë, virusi i ri është detektuar në disa vende, përfshirë Portugalinë, Francën, Japoninë dhe Korenë Jugore.

Të ngjashme