Ish-ministri i Financave, Yanis Varoufakis, thotë se kapitalizmit po i vjen fundi si gjithçkaje tjetër të vjetëruar. Ai mbajti një leksion në University College London mbi ndikimin që ngritja e gjigantëve të teknologjisë dhe inteligjenca artificiale do të kenë te sistemi ekonomik, i cili sipas tij do të vetëhidhet në erë.
Varufakis thotë se kompanive si Google-it dhe Facebook-ut për herë të parë në histori po ua blen dhe konsumon kapitalin konsumatori.
“Së pari, teknologjitë u themeluan nga disa grante qeveritare. Së dyti, sa herë kërkon diçka në Google, ti kontribuon në kapitalin e tij. Dhe kush e merr fitimin nga kapitali? Google sigurisht, jo ti. Pra nuk ka më dyshime se kapitali po prodhohet nga shoqëria dhe fitimet po privatizohen. Me inteligjencën artificiale, ky do të jetë fundi i kapitalizmit”, tha Varoufakis.
Ish-ministri grek paralajmëron se Karl Marksi do të “hakmerret”. Ai shton se për herë të parë që prej kohësh kur nisi kapitalizmi, teknologjitë e reja më shumë po shkatërrojnë vende pune sesa po i krijojnë ato.
“Kapitalizmi do të hedhë në erë vetveten, sepse ai po prodhon të gjitha këto teknologjitë e reja që do t’i bëjnë korporatat dhe mjetet private të dala jashtë mode. Çfarë ndodh më pas? Nuk e kam idenë”, thotë ai, shkruan The Indenpendent.
Duke e përshkruar situatën e tanishme ekonomike si të paqëndrueshme, ai thotë se ia ka frikën ngritjes së “nacionalizmit toksik”. Varufakis thotë se në këto kushte, qeveritë duhet të përgatiten për postkapitalizmin, duke hartuar politika të rishpërndarjes së pasurive.
Një sugjerim i tij është që 10 për qind e aksioneve në të ardhmen të vendosen në një fond të përbashkët mirëqenieje, i cili të jetë në pronësi të popullit. Nga kjo, çdo qytetari mund t’i paguhet një dividend universal bazë.
Varufakis u vendos në qendër të vëmendjes botërore gjatë krizës së borxhit në Greqi. Ai udhëhoqi grupin negociator të Greqisë dhe kërkoi një rezolutë me kreditorët ndërkombëtarë.
Duke e përshkruar këtë si një “dështim total” nga ana e tij, ai u dorëhoq si ministër Financash në vitin 2015, pasi kryeministri Alexis Tsipras ra dakord me kushtet e parashikuara në planin e BE-së për shlyerjen e borxhit grek.