Më 27 qershor në sallën e vogël të Teatrit Kombëtar të Kosovës do të jepet premiera e shfaqjes “Bishat në hënë”, e cila trajton njërën prej pjesëve më të ndjeshme të historisë së Kosovës, atë të dhunës seksuale dhe jo vetëm.
Vlora Nikçi tha se “kjo shfaqje, ky tekst të cilin fillimisht ma ka ofruar Armend Baloku bashkëshorti im i cili është edhe aktor në shfaqje dhe më ka thënë vetëm lexoje dhe a është ajo çka ti po dëshiron. E kam lexuar tekstin, jam mahnitë qysh një autor i cili është amerikan Richard Kalinowski ka ditë kaq bukur me shkru për dhimbjen tonë e popullit tonë, por në fakt ai ka shkruar për dhimbjen e popullit të vet sepse ai është armen dhe ka shkruar për gjenocidin e armenëve të shkaktuar nga Turqit në vitin 1920, dhe aq bukur ka shkruar për dhimbjen e tyre sa që i shkon krejt për shtati dhimbjes së popullit tim”.
Ajo ka treguar se idenë e ka mbështetur ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, teksa ka thënë se teatri ka nevojë për një shfaqje të tillë. Që gjithçka të duket sa më reale dhe të prezantohet në mënyrën më të mirë të mundshme artistike dhe faktike kanë vendosur që kostumet ose veshjet në shfaqje të mos jenë të punuara ashtu siç ndodh në shfaqjet tjera, por të jenë pikërisht veshje të cilat janë dëshmi të luftës së fundit në Kosovë.
“Është interesante, është e ndjeshme, është besa edhe e dhimbshme, e guximshme. Ideja ime ka qenë që të futim copa lufte brenda nesh. Unë e kam një dajë të vrarë në luftë dhe gjyshja ime i ka rrobat e tij të cilat shpesh i shpalos edhe bash në kohën kur ka ra ai gjyshja në atë kohë atë ditë vere i shpalos dhe i vajton ato tesha dhe çmallet me to. Edhe e kam pyet gjyshen, çka nëse këto rroba unë i marrë dhe krijoj diçka me to dhe ajo më ka thënë ‘merri dhe vetëm nëse del rrugës dhe bërtet me të madhe çka i ka ndodh birit tim, kisha pas qef ishte ndie e lumtur se unë dua që bota ta dijë çka i ka ndodh birit tim nuk dua që dhimbja ime me u mbyll në këtë kufer me këto rroba’ edhe ku ajo tha ashtu mu duk sikur krejt njerëzit në Kosovë kanë nevojë dhimbjen e tyre me tregu nëpër botë”, e citon KultPlus Vlora Nikçin.
Ajo ka treguar se në shfaqje e mbanë të veshur një fustan me të cilin një vajzë në Pejë ka përjetuar dhunim nga forcat serbe.
“Kam një kastë të aktorëve shumë të mirë, unë i kam bërë bashkë, e kam marrë atë guximin me i bë bashkë disa aktorë të cilën janë vërtetë fantastik, unë luaj rolin e Setës, Armend Baloku rolin e Aramit burrit të Setës, Florist Bajgora luan rolin e Vinçentit dhe është Armond Morina i cili luan Zotërinë, krejt tregimi fillon prej tij. Armondin e kemi edhe regjisor të shfaqjes bashkë me Butrint Pashën. Kemi kostumografe, Valdete Mustafën dhe skenografen Alketa Xhafa”, ka treguar Vlora Nikçi.
“E veçantë e kësaj shfaqje është edhe pjesëmarrja e të mbijetuarës së dhunës seksuale, Vasfije Krasniqi-Goodman. “Vasfijes ia kam treguar idenë e shfaqjes dhe vërtet e ka parë shumë të natyrshme që të jetë pjesë me ne dhe e falënderoj shumë guximin e saj që të futet në mesin artistëve, aktorëve sepse për neve tek e fundit është profesion ajo punë”, u shpreh Nikçi.